Pse shihen flamujt e Meksikës në protestat e Los Angelesit?
Në Los Angeles, ku jetojnë mbi 3.4 milionë njerëz me origjinë meksikane, flamuri i Meksikës nuk është thjesht një simbol kombëtar, por një shenjë e identitetit kulturor dhe familjar.
Raul Hinojosa-Ojeda, profesor në UCLA, thekson se "flamujt përfaqësojnë familjet tona, përfaqësojnë komunitetet tona. Nuk bëhet fjalë për një pushtim ndërkombëtar".
Po ashtu, Antonio Rodriguez, aktivist i lëvizjes Brown Berets, shprehet se "me valëvitjen e flamurit të Meksikës, ne tregojmë krenarinë për kulturën dhe familjet tona".
Përdorimi i flamujve të huaj, si ai meksikan, ka shkaktuar reagime të ashpra nga disa figura politike republikane.
Senatori Markwayne Mullin e ka quajtur këtë veprim "çmenduri", duke e lidhur me "ilegalët" që protestojnë. Po ashtu, këshilltari i presidenti amerikan, Donald Trumpit, Stephen Miller, ka deklaruar se protestuesit janë "shtetas të huaj që pengojnë punën e shërbimit të imigracionit federal". Këto komente kanë nxitur debate të ashpra mbi identitetin dhe lojalitetin e protestuesve.
Ky nuk është rasti i parë që flamuri i Meksikës përdoret në protesta në SHBA. Gjatë viteve 1990, gjatë kundërshtimit ndaj ligjit 187 në Kaliforni, ky flamur u bë simbol i rezistencës.
Jorge Castaneda, ish-ministër i Jashtëm i Meksikës, thekson se përdorimi i këtij flamuri ka një histori të gjatë, ku shumica e protestuesve janë shtetas amerikanë, duke theksuar lidhjen e fortë kulturore dhe emocionale me Meksikën.
Përdorimi i flamujve të Meksikës në protestat e Los Angelesit është një shprehje e identitetit kulturor dhe solidaritetit me komunitetin meksikan. Ky veprim është një reagim ndaj politikave të imigracionit të ashpra dhe një mënyrë për të shprehur mbështetje për të drejtat e emigrantëve. /Telegrafi/


