Please enter at least 3 characters.

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë Tepelenën në artin botëror

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit Luan Tashi, Ali Pashë Tepelena në artin botëror, Pararendës i Pavarësisë Shqiptare.

Ky botim është libri i dytë i autorit, pas veprës së mirënjohur Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve, dhe përbën një kontribut të rëndësishëm në studimet historike,kulturore dhe ikonografike shqiptare.

Libri i qaset figurës komplekse të Ali Pashë Tepelenës përmes një këndvështrimi të veçantë: pasqyrimit të tij në artin botëror.

Përmes analizës së pikturave, gravurave, ilustrimeve dhe burimeve ikonografike nga arkiva të ndryshme europiane, Luan Tashi sjell në vëmendje mënyrën se si Ali Pasha është perceptuar, interpretuar dhe mitizuar nga artistë e udhëtarë të huaj ndër shekuj.

Vepra ndalet jo vetëm te dimensioni estetik i këtyre përfaqësimeve, por edhe te domethënia historike dhe politike e figurës së Ali Pashës, duke e trajtuar atë si një pararendës të proceseve që çuan drejt vetëdijes kombëtare dhe më pas drejt Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërthurja e historisë me artin e bën librin tërheqës si për studiuesit dhe studentët, ashtu edhe për lexuesit e interesuar për historinë shqiptare.

Gjatë promovimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të bashkëbisedojnë me autorin dhe t’i drejtojnë atij pyetje mbi librin dhe temat që ai trajton.

Ju falënderojmë për interesimin dhe i ftojmë të gjithë lexuesit dhe dashamirësit e historisë shqiptare të jenë pjesë e këtij aktiviteti kulturor dhe ta ndajnë këtë takim me autorin.

true