Problemet me shikim, cilët janë personat e përshtatshëm për të bërë laser të syve? Flet oftalmologu Burim Zhuri
Në episodin e 34-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, oftalmolog Burim Zhuri ka folur për kujdesin që duhet të kemi ndaj shëndetit të syve.
Ai ka treguar në detaje lidhur me përcaktimin e dioptrisë dhe përdorimit të laserit për eliminimin e dioptrisë.
“Eliminimi i dioptrisë me laser është metodë e cila na mundëson eliminimin e syzeve. Para se gjithash janë kriteret rregullat që pacienti duhet t’i përmbush për të qenë kandidat për eliminim të dioptrisë...”, tha doktor Zhuri.
Oftalmologu, kirurgu vitreoretinal tha tutje se për ta bërë laserin e syve personi duhet të jetë mbi moshën 20 vjeçare si dhe dioptria të jetë konform me mundësitë e laserit.
“Laserin që e disponojmë ne e trajtojnë dioptrinë plus, deri plus 5, ndërsa minusin deri në minus 12”, tha ai.
Tutje oftalmologu Zhuri bëri të ditur se kushti tjetër është stabiliteti i dioptrisë, posaçërisht te dioptria minus.
Po ashtu, tjetër kriter për bërjen e laserit të syve është edhe sasia e lotit dhe trashësia e kornesë.
Podcastin “Shëndeti në rend të parë”, ku doktor Zhuri flet për atë se çka na i dëmton më së shumti sytë, sa shpesh duhet të bëjmë kontrolle, si t’i relaksojmë sytë pas qëndrimit të gjatë para ekranit, sëmundjet si perdja e syrit e tensioni i syrit mund ta shikoni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.
Ky podcast mbështet nga United Hospital. /Telegrafi/


