Pritjet e tij mahnitën Botërorin, tani një specie e rrallë detare mban emrin e Vozinhas
Portieri i Kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinha, ka marrë një nderim të veçantë dhe aspak të zakonshëm pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse në Kupën e Botës, ku ndihmoi vendin e tij të shkruante histori në debutimin në këtë turne.
Një studiues spanjoll i biologjisë detare, Jesus Ortea, ka vendosur t’i japë emrin e portierit veteran një specieje të re molusku detar të zbuluar së fundmi.
Specia e re, e quajtur “Aldisa vozinhai”, është një kërmill detar i vogël me ngjyrë të kuqe, me madhësi rreth katër milimetra, i cili më parë ishte i panjohur për shkencën.
Zbulimi u përshkrua në punimin e publikuar nga Ortea, “Historitë e Biodiversitetit”.
Molusku u zbulua në zonat detare pranë Havanës në Kubë dhe Guadelupës, ndërsa studiuesi spanjoll zgjodhi që publikimi i punës së tij të përkonte me zhvillimin e Kupës së Botës, pas paraqitjes së jashtëzakonshme të Vozinhas ndaj Spanjës.
Në atë ndeshje, portieri 40-vjeçar ishte lojtari më i mirë i takimit, duke realizuar shtatë pritje në barazimin pa gola ndaj kampionëve të Evropës.
Sipas raportimeve, Ortea e zgjodhi këtë emër si një mënyrë për të falënderuar popullin e Kepit të Gjelbër, me të cilin ka një lidhje të veçantë.
Studiuesi spanjoll është nderuar në vitin 2023 me Medaljen e Meritës Mjedisore për kontributet e tij në studimin e biodiversitetit detar në këtë arkipelag.
Ky nuk është rasti i parë që Ortea nderon një futbollist në këtë mënyrë.
Në vitin 2019, profesori i Universitetit të Oviedos i dha emrin e ish-portierit të Real Madridit dhe Kosta Rikës, Keylor Navas, një specieje të re kërmilli detar./Telegrafi/


