Prishtina fiton miqësoren kundër Lirisë së Shkupit
Një ndeshje më shumë se miqësore kanë zhvilluar klubi i basketbolilit Liria dhe Sigal Prishtina, të mërkurën, në sallën e re sportive “Shaban Tërstena” në Çair të Shkupit. Ndonëse rezultati ishte në planin e dytë fitore shënoi ekipi prishtinas (94:86).
Në fakt, kjo përballje kishte dy arsye për tu zhvilluar, pasi bëhej fjalë për dy festa shumë të rëndësishme: E para, Liria, e cila më në fund është bërë me “shtëpi” të saj, ku tani e tutje ndeshjet kampionale do t’i luaj në sallën e re, e cila mban emrin e kampionit olimpik në mundje, Shaban Tërstena, sportistit me përmasa botërore, dhe e dyta, për të festuar ditëlindjen e gjashtë të Republikës së Kosovës. Organizimin e këtyre dy ngjarjeve e kishte marrë përsipër komuna e Çairit.
Para fillimit të ndeshjes kanë folur Zekirija Idrizi, kryetar i klubit Liria, Ylber Hysa, ambasadori i Kosovës në Shkup dhe Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit. Këtij të fundit i është ndarë fanella me numrin 1 dhe me mbiemrin e tij nga KB Liria, kurse fanellë pa numër dhe pa emër i është dhuruar ambasadorit të Republikës së Kosovës.
Publiku ka qenë shumë i entuziazmuar që është bërë me sallë në Çair, dhe që në të pritën yjet e basketbollit kosovar. /Sporti1/Telegrafi/


