“Prishtina 2030” synon spektakël global, Aliti tregon nëse Dua Lipa ose Rita Ora do të performojnë në ceremoninë hapëse
Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, ka folur për përgatitjet dhe pritshmëritë rreth ceremonisë hapëse të Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duke theksuar rëndësinë që kjo ngjarje të ketë një prezantim sa më dinjitoz në arenën ndërkombëtare.
Duke komentuar mundësinë e përfshirjes së emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare në këtë ceremoni, Aliti u shpreh se edhe pse ende nuk ka pasur komunikime konkrete, ai beson fuqishëm se figura si Dua Lipa dhe Rita Ora do të ishin të gatshme të bëhen pjesë e këtij momenti historik.
“Nuk kemi krijuar kontakte drejtpërdrejtë për të biseduar këtë çështje, por nuk e shoh aq problematike, sepse është e mundur. Sepse unë jam i bindur që edhe Dua Lipa, edhe Rita Ora, edhe gjithë diaspora shqiptare e ka atë etjen e vendit të vet dhe e tregojnë sidomos Rita Ora e Dua Lipa, në çdo paraqitje që kanë bërë botërisht, me shumë krenari kanë treguar që janë shqiptare dhe që janë nga Kosova dhe jam i bindur duke marrë parasysh rëndësinë e Lojërave Mesdhetare që ata me krenari të plotë do të pranonin të jenë pjesë e këtij procesi”, theksoi Aliti në SportCast.
Në fund, ai nënvizoi se ceremonia hapëse e këtyre lojërave përbën një mundësi të jashtëzakonshme për të promovuar Kosovën në botë, duke lënë të hapur mundësinë që përfshirja e yjeve ndërkombëtare me prejardhje shqiptare të jetë një nga elementet kryesore të këtij organizimi.


