Pretendimet serbo-ruse për “daljen në detin e ngrohtë” dhe koncepti i Millovanoviqit për Sanxhakun
Nga: Ismet Azizi
Në dekadat e para të shekullit XX, Serbia, me mbështetjen indirekte të Rusisë, zhvilloi një strategji zgjerimi drejt detit Adriatik, përmes Sanxhakut dhe pjesëve veriore të Shqipërisë. Në këtë punim analizohet konceptimi i kryeministrit serb Millovanoviq [Milovan Milovanović, 1851-1912, kryeministër i Serbisë në vitet 1911-1912] për “Sanxhakun dhe çështjen shqiptare”, të cilin ai ua prezantoi diplomatëve britanikë, si dhe reagimet e politikës britanike dhe austro-hungareze në kontekstin e dobësimit të Perandorisë Osmane.
Në bazë të hulumtimit të studiuesit Daut Dauti - në librin Britania dhe çështja shqiptare gjatë rënies së Perandorisë Osmane 1876-1914 - del se ideja për të “dalë në detin e ngrohtë” ishte pjesë përbërëse e sinergjisë gjeopolitike serbo-ruse, e cila njëkohësisht ndikoi në ndryshimin e orientimit britanik drejt Ballkanit. Në atë strategji, Sanxhaku luajti një rol kyç si një korridor tokësor për në Adriatik dhe rëndësia e tij gjeopolitike shkoi përtej kufijve lokalë.
Në fillim të shekullit XX, Serbia - e përkrahur në mënyrë të tërthortë nga Rusia cariste - ka shfaqur ambicie të hapura për të dalë në Detin Adriatik. Projekti i saj, i formuluar qysh në doktrinën Načertanije (1844), ka parashikuar zgjerimin përmes Kosovës, Sanxhakut dhe viseve veriore shqiptare, me synimin për t’u lidhur me detin. Pas Revolucionit Xhonturk dhe dobësimit të mëtejshëm të Perandorisë Osmane, këto plane morën trajtë konkrete.
Siç dëshmohet nga korrespondenca diplomatike që Dauti citon, Millovanoviqi, në vitin 1909, kishte zhvilluar një plan të ashtuquajtur për Sanxhakun dhe problemin shqiptar. Ai i tha ambasadorit britanik Cartwright [Fairfax Leighton Cartwright, 1857-1928] se fuqia otomane është zhdukur në Evropë dhe se Serbia do të duhej të siguronte pëlqimin e Austro-Hungarisë për bashkim “të rripit të Sanxhakut dhe deri në det, në Veri të Shqipërisë”. Ky pohim përfaqëson një ndër dëshmitë më të qarta të pretendimeve serbe mbi hapësirën shqiptare dhe lidhjes strategjike me Adriatikun.
Në bisedimet e mëvonshme (1910), Millovanoviqi ka theksuar se Ballkani ishte në “gjendje fermentimi” dhe se duhej shfrytëzuar momenti për ndarje të reja territoriale, duke parashikuar shkatërrimin e Perandorisë Osmane “nga brenda”. Kjo frymë e ka përshkuar politikën serbe, e cila ka synuar t’i bindte Fuqitë e Mëdha se stabiliteti rajonal mund të arrihej vetëm nëpërmjet zgjerimit të Serbisë drejt Jugperëndimit.
Siç thekson Dauti, nënsekretari britanik Arthur Nicolson [1849–1928] e pranoi “predikimin e Millovanoviqit” dhe madje e konsideronte shpërbërjen e Perandorisë Osmane si diçka të pashmangshme dhe të dobishme për interesat britanike në Egjipt dhe në Indi. Kjo tregon ndikimin që ideologjia serbe kishte në disa qarqe diplomatike perëndimore, sidomos në fazën e përgatitjes së Luftërave Ballkanike.
Ky ndryshim i qasjes britanike - nga mbështetja tradicionale e Portës së Lartë drejt tolerimit të ambicieve serbe dhe malazeze - përbën një moment kyç në ndryshimin e ekuilibrave në Ballkan. Në këtë periudhë, edhe Rusia intensifikoi përpjekjet për të nxitur aleancën ballkanike dhe për ta drejtuar kundër Perandorisë Osmane, duke e shfrytëzuar Serbinë si instrument të daljes në “detin e ngrohtë”.
Sanxhaku i Pazarit të Ri paraqitej në projektet serbo-ruse si rrugë natyrore për daljen në Adriatik. Përveç pozitës gjeografike midis Kosovës dhe Malit të Zi, ai kishte rëndësi të jashtëzakonshme për lidhjen me bregdetin shqiptar. Kjo është arsyeja pse që nga fundi i shekullit XIX, në dokumentet diplomatike serbe dhe ruse, Sanxhaku paraqitet si “rrip tokësor i domosdoshëm” për realizimin e strategjisë së daljes në det.
Për pasojë, planet e Millovanoviqit duhet parë jo si deklarata të izoluara, por si pjesë e një vizioni të gjerë ekspansionist që do të konkretizohej në Luftërat Ballkanike, me pushtimin e Kosovës, Sanxhakut dhe më pas të viseve veriore shqiptare.
Analiza e Daut Dautit ndriçon lidhjen e drejtpërdrejtë midis politikës serbe për daljen në “detin e ngrohtë”, që gjeti mirëkuptim në qarqe britanike dhe ruse, dhe dobësimit të pozicionit ndërkombëtar të shqiptarëve në prag të vitit 1912.
Në këtë kontekst, Sanxhaku nuk ishte vetëm një territor periferik i Perandorisë Osmane, por një nyjë gjeostrategjike në përplasjen e interesave ruso-serbe, austro-hungareze dhe britanike.
Kjo e bën analizën e Dautit një burim të çmuar për të kuptuar origjinën e pretendimeve gjeopolitike që më vonë do të përsëriten gjatë shekullit XX - madje edhe në doktrinën e politikës së jashtme ruse pas vitit 1990. /Telegrafi/


