Pretendime për ofrim ilaçesh si trajtim për autizëm, reagon Ministria e Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka reaguar lidhur me raportimet në media dhe në rrjete sociale, ku pretendohet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.
Në reagimin e saj, Ministria ka shprehur shqetësim për këto raportime dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë shëndetësorë të licencuar.
MSH ka bërë të ditur se për këtë rast ka njoftuar institucionet kompetente dhe se është në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.
“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë./Telegrafi/


