Please enter at least 3 characters.

Presioni mbi Netanyahun rritet, Emiratet e kishin paralajmëruar për sulmin e 7 Tetorit


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me një valë të re presioni politik pas një raportimi se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, e kishte paralajmëruar rreth dhjetë ditë para 7 Tetorit 2023 se Hamasi po përgatiste një operacion të madh kundër Izraelit.

Raportimi u publikua nga gazeta izraelite Haaretz, bazuar në një hetim të gazetarëve të saj për një libër të ri. Sipas raportit, Bin Zayed i kishte përcjellë Netanyahu-t shqetësimin se lideri i atëhershëm i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, po përgatiste një operacion që mund të shkaktonte gjakderdhje të madhe, të destabilizonte rajonin dhe të rrezikonte Marrëveshjet e Abrahamit.

Sipas Haaretz, Netanyahu reagoi me qetësi ndaj paralajmërimit dhe deklaroi se Izraeli ishte i përgatitur për çdo skenar. Raporti pretendon gjithashtu se ai besonte se kërcënimi kryesor nga Hamasi ishte i lidhur me Bregun Perëndimor.

Zyra e kryeministrit izraelit e ka mohuar kategorikisht këtë version. Ajo e ka cilësuar raportimin si “një gënjeshtër absolute” dhe ka deklaruar se Netanyahu nuk ka zhvilluar bisedë me presidentin e Emirateve në periudhën në fjalë dhe nuk ka marrë prej tij asnjë paralajmërim për sulmin. Emiratet nuk kanë komentuar menjëherë raportimin.

Raportimi ka shkaktuar reagim të fortë në politikën izraelite. Udhëheqësit e opozitës kanë kërkuar një hetim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës, duke ngritur pyetje mbi atë që Netanyahu dinte para sulmit, kur e kishte marrë informacionin dhe nëse ai ua kishte përcjellë atë drejtuesve të aparatit të sigurisë.

Gadi Eisenkot, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite dhe një prej rivalëve politikë të Netanyahu-t, e ka akuzuar kryeministrin se kishte marrë paralajmërime të shumta për 7 Tetorin dhe i kishte injoruar ato, transmeton Telegrafi.

Edhe lideri i Partisë Demokratët, Yair Golan, e ka akuzuar Netanyahu-n se kishte rrezikuar sigurinë e Izraelit dhe se kishte dështuar në mbrojtjen e qytetarëve.

Sipas hetimit të raportuar nga Haaretz, informacioni për përgatitjet e Hamasit kishte kaluar fillimisht përmes një ish-zyrtari palestinez, i cili më pas ia kishte përcjellë një këshilltari emiratas.

Ky këshilltar kishte informuar Mohamed bin Zayed, i cili më pas kontaktoi Netanyahu-n. Raportimi pretendon se Bin Zayed i kërkoi kryeministrit izraelit ta merrte seriozisht kërcënimin dhe të përgatitej për një përshkallëzim të mundshëm.

Sipas të njëjtit hetim, Sinwar kishte folur për një “operacion të frikshëm” dhe kishte kërkuar që mesazhi t'u përcillej izraelitëve.

Më 7 tetor 2023, militantë të Hamasit kaluan kufirin nga Gaza në Izrael nga toka, deti dhe ajri, ndërsa njëkohësisht u lëshuan raketa drejt territorit izraelit.

Rreth 1,200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng, sipas të dhënave të raportuara nga AP. Sulmi shkaktoi luftën që pasoi në Gaza dhe një krizë të thellë politike e të sigurisë brenda Izraelit.

Që prej atëherë, Netanyahu është përballur vazhdimisht me pyetje mbi përgjegjësinë politike për dështimin e 7 Tetorit, ndërsa ai ka kundërshtuar kërkesat për një komision të pavarur shtetëror që do të hetonte plotësisht rrethanat që çuan në sulm.

Zbulimi i ri vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për Netanyahun, pasi Izraeli do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 27 tetor 2026.

Për opozitën, çështja e përgjegjësisë për 7 Tetorin pritet të jetë një prej temave kryesore të fushatës. /Telegrafi/