Pranimi i FHK-së në EHF, lajm i jashtëzakonshëm për Kosovën(Video)
Pas shumë e shumë përpjekjeve, tashmë edhe zyrtarisht Kosova është pranuar më drejta të plota në EHF.
Drejtuesit e FHK-së të dielën në një konferencën për media, thanë se suksesit i arritur dje në Dablin, është arritur falë pas punës së madh që është nisur vite me parë.
Kjo konferencë ishte ndryshe nga të tjerat për shkak se zyrtarë të federatave të ndryshme sportive, krerë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Komitetit Olimpik, si dhe e dashamir të shumtë të sportit të Kosovës, ia kishin mësyrë “Sheshit 21” për t’ia uruar drejtuesve të FHK-së pranimin me drejta të plota në EHF.
Në fjalimet e drejtueseve të këtij asosacion sportiv u tha se më në fund puna e nisur dekada më parë u konkretizua me pranimin e në shtëpinë më të madh të hendbollit ndërkombëtar, duke fituar garën përball Serbisë, e cila për shumë vite ishte pengesë në anëtarësimin e FHK-së në EHF.
Presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, është shprehur i emocionuar se më në fund hendbolli i Kosovës është pjesë e barabartë e EHF-së. Ai theksoi se ky sukses është arritur falë punës së madhe që është bërë më vite të tera nga FHK-ja, hendbolldashësit dhe nga i gjithë komuniteti sportiv i vendit tonë.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që në Kosovë ndodhi një lajm i jashtëzakonshëm i cili e përafron sportin kosovar, hendbollin kosovar me hendbollin evropian dhe atë ndërkombëtar. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe e përçoj emocionin e gjithë atyre që kanë dhënë jashtëzakonisht shumë për ndërkombëtarizimin e hendbollit kosovar, por edhe për zhvillimin e hendbollit kosovar që të zotohemi pas këtij suksesi që puna jonë të jetë më e madhe, të jetë në drejtim të duhur të zhvillimit të hendbollit dhe të ngritjes së cilësisë”, tha Saraçini.
Ai ka shtuar se pranimi i FHK-së është një sukses i madh, por sipas tij, tani hendbollin tonë pret një punë e madh, në mënyrë që Kosova të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshëm në rrafshin ndërkombëtar.
Gjithsesi se i emocionuar me pranimin e FHK-së në EHF, është shprehur edhe Ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i cili ka qenë krah i fuqishëm i FHK në rrugën e ndërkombëtarizimit.
I pari i sportit tonë tha se në Dablin është kurorëzuar një punë e madh dhe një kontribut shumë vjeçar i njerëz që dhanë shumë për të arritur deri në pranimin e FHK-së në EHF.
“Urime dhe ia pafshim hairin bashkërisht, sepse u kurorëzua një punë për të cilën kanë kontribuar një numër jashtëzakonisht i njerëzve për një numër goxha të gjatë të viteve. Andaj urimet i meritojnë të gjithë ata që kanë punuar, të gjithë ata që kanë kontribuar, të gjithë ata që kanë sakrifikuar, e në mënyrë të veçantë ata që në momentet dhe kohërat më të vështira kanë mundësuar vazhdimësinë e hendbollit në Kosovë, përkundër sfidave të panumërta duke investuar, e duke ju dhënë kurajo hendbollistëve tonë të cilët kanë pasur një qëllim të përbashkët”, theksoi Krasniqi.
Ai thotë se kjo festë duhet të jetë e shkurtër, sepse sipas tij, hendbollin tonë e presin sfida të mëdha në arenën ndërkombëtare. Krasniqi beson se Kosova ka potencial që të përfaqësojë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai premton se Ministria e Sportit do të jetë në përkrahje të sportit tonë, e në këtë rast hendbollit.
E, Besim Hasani, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), tha se vërtetë sot është një festë e jashtëzakonshme, jo vetëm për hendbollin, por për gjithë sportin e Kosovës. Hasani thotë se ky sukses është arritur vetëm më punë dhe nuk është arritur rastësisht.
“Vërtetë sot është një festë e jashtëzakonshme për Federatën e Hendbollit, por jo vetëm për Federatën e Hendbollit, por për gjithë sportin tonë në përgjithësi. Nga zemra dua t’i përgëzojë gjithë ata të cilët kanë kontribuar që ne sot këtu të tubohemi dhe të jemi të gëzuar me rastin e pranimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës në federatën përkatëse evropiane”, tha Hasani.
Ai është i bindur se Kosova do të jetë një përfaqësues e denjë në sfidat ndërkombëtare, sepse sipas tij, Kosova gjithmonë ka pasur talent të këtij sporti. /KP/Telegrafi/


