Please enter at least 3 characters.

Policia Rajonale e Ferizajt shqipton 1,477 gjoba brenda një jave, intensifikohen kontrollet në trafik

Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se gjatë javës 04–10 maj 2026 ka intensifikuar kontrollet në trafik me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore dhe parandalimit të aksidenteve.

Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve janë shqiptuar gjithsej 1,477 gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve që janë kapur duke shkelur rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor.

Në njoftim thuhet se shkeljet më të shpeshta kanë qenë tejkalimi i shpejtësisë, parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me xhama të errësuar.

Nga të dhënat e publikuara, gjatë kësaj jave janë shqiptuar:

  • 338 gjoba për tejkalim të shpejtësisë,
  • 215 gjoba për parking të parregullt,
  • 146 gjoba për xhama të errësuar,
  • 92 gjoba për mosrespektim të shenjave të komunikacionit,
  • 75 gjoba për mosmbajtje të distancës mes automjeteve,
  • 70 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes,
  • 66 gjoba për mospërdorim të dritave,
  • 54 gjoba për kalim të afatit të regjistrimit,
  • si dhe 421 gjoba për kundërvajtje të tjera.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e trafikut, duke theksuar se ngasja e papërshtatshme dhe mosrespektimi i rregullave rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

Po ashtu, është bërë e ditur se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë duke raportuar shkeljet përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.

Sipas policisë, të dhënat e raportuesve ruhen në konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/