Policia gjen dhe sekuestron dy zolla me prodhim serb në veri të Mitrovicës
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar dy armë zjarri të llojit “zolla” në veri të Mitrovicës.
Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar në Facebook, armët janë gjetur në një kompleks banesor të pabanuar në rrugën “Anka Spaic”, pas një informate të marrë përmes rrugëve operative.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 21 korrik 2025, rreth orës 14:05.
Njësitë policore të Stacionit Policor Mitrovicë Veri, në bashkëpunim me njësinë e specializuar për trajtimin e mjeteve shpërthyese, kanë ndërmarrë kontroll në vendin e dyshuar dhe kanë gjetur dy armë të llojit “zolla”, të cilat dyshohet se janë të prodhimit serb.
Armët janë sekuestruar si dëshmi materiale dhe janë dërguar për ekzaminim. Ndërkohë, hetimet lidhur me këtë rast janë në vijim.
Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.”
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike dhe ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo informacion të dyshimtë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.


