Policia e UNMIK-ut tërhiqet nga veriu – KFOR-i merr kontrollin
Policia e UNMIK-ut tërhiqet nga veriu
Forcat e Policisë së UNMIK-ut kanë marrë urdhër të tërhiqen nga veriu i Mitrovicës pas zhvillimeve të mëngjesit të sotëm, kur ata morën nën kontroll Gjykatën e Qarkut dhe u përplasën me protestuesit serbë. Forcat paqeruajtëse tani do të kenë përgjegjësinë për situatën në veriun e qytetit të ndarë.
Pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së UNMIK-ut, në një aksion të shpejt të kryer në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, kanë marrë nën kontroll Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri të Mitrovicës.
Aksioni, është zhvilluar rreth orës 5:30 të mëngjesit - ndërsa policia me këtë rast ka arrestuar disa serbë si dhe ka hequr flamujt serbë të vendosur dhunshëm ditë më parë në ndërtesën e gjykatës.
Afro njëqind serbë të zemëruar u tubuan afër ndërtesës ku kishte filluar ndërhyrja dhe gjuajtën me gurë në drejtim të forcave të sigurisë. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.
Disa orë më vonë, sipas raporteve të Shërbimit Policor të Kosovës, serbët janë mbledhur sërish, duke sulmuar Policinë e UNMK-ut dhe KFOR-it.
Sipas agjencive të ndryshme botërore, protestuesit serbë i kanë sulmuar forcat e KFOR-it edhe më armë zjarri, me granatë dore dhe me koktej molotovi.
Njoftohet për disa ushtarë të plagosur, ndërsa serbët raportojnë për disa dhjetëra të lënduar në radhët e tyre.
Në jug të Mitrovicës merren masat që të mos reflektohen tensionet nga veriu
Gjendja e sigurisë e krijuar pas intervenimit të policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të KFOR-it në objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës, ishte temë kryesore e takimit të përfaqësuesve të strukturave politike dhe ato të sigurisë që përfaqësohen në Komitetin për Siguri në këtë komunë.
Komandanti i stacionit të SHPK-së në jug të qytetit, Bashkim Spahiu, tha se në këtë pjesë të qytetit janë marrë të gjitha masat që të mos reflektohen tensionet e krijuara në veri të Mitrovicës.
Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se pjesëtarët e strukturave të sigurisë në Mitrovicë kanë reaguar pasi që janë shterur të gjitha mundësitë e tjera demokratike dhe kanë marrë nën kontroll objektet e gjykatave në veri të qytetit.
Rexhepi apeloi tek qytetarët që të jenë gjakftohtë dhe të vazhdojnë të jenë të qetë. "Ne duhet të jemi të qetë në mënyrë që t’i kontribuojmë stabilitetit dhe gjendjes së sigurisë, në mënyrë që strukturat e sigurisë të fokusohen në veri ku gjendja është më e ndjeshme", tha Rexhepi dhe shprehu besimin se strukturat e sigurisë dhe veçanërisht KFOR-i dhe UNMIK-u do ta mbajnë nën kontroll gjendjen.
"Duhet të respektohet ligji dhe rendi në gjithë territorin e vendit", tha ai.
- REAGIMET -
Ban Ki Moon dënon sulmet kundër UNMIK-ut dhe KFOR-it në Mitrovicë
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, dënoi sulmet e dhunshme kundër policisë së UNMIK-ut dhe personelit të KFOR-it në Mitrovicë.
Ban ritheksoi se UNMIK-u do të vazhdojë te marrë masa për të zbatuar mandatin e tij në bazë të rezolutës 1244 dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të tregohen të përmbajtura.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së theksoi nevojën për dialog konstruktiv për të zgjidhur situatën.
Solana dhe Turk të brengosur për situatën në Mitrovicë
Presidenti Slloven, Danilo Turk, dhe shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana, kanë shprehur të hënën në Lubjanë brengën e tyre për dhunën në pjesën veriore të Kosovës.
"Dhuna nuk çon askund”, ka thënë Solana në një konferencë të përbashkët me presidentin slloven Turk – i cili ka shfaqur shpresën e tij se “do të mbizotërojë arsyeja dhe do të vije deri të qetësimi i situatës”.
Solana, po ashtu u ka bërë thirrje të gjithëve që mund të ndihmojnë në qetësimin e situatës, të bëjnë një gjë të tillë”, ka njoftuar agjencia sllovene STA.
Presidenti Sejdiu dënoi dhunën kundër policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e ka dënuar fuqishëm dhunën e sotme të protestuesve serbë kundër policisë së UNMIK-ut dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe ka kërkuar nxjerrjen sa më të shpejtë të fajtorëve para drejtësisë
Aktet e sotme të dhunës në Mitrovicë kundër policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të KFOR-it, presidenti Sejdiu i ka cilësuar si “tërësisht papranueshme për institucionet dhe popullin e Kosovës”.
“Sulmi brutal i protestuesve ndaj mbrojtësve të rendit dhe të ligjit dëshmoi botërisht se uzurpatorëve të Gjyqit të Qarkut në Mitrovicë u pengon së tepërmi ligjshmëria, paqja dhe stabiliteti në Kosovë”, thuhet nw deklaratën e presidentit Sejdiu.
Sejdiu ka përshëndetur vendosmërinë e KFOR-it, UNMIK-ut dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë për ta mbrojtur rendin ligjor, duke i siguruar ata se “gëzojnë përkrahjen tonë të plotë, si dhe nderimin e përhershëm të popullit të Kosovës”.
“Me këtë rast, urojmë që policët dhe ushtarët e plagosur të shërohen sa më shpejt, kurse organeve të hetuesisë u bëjmë thirrje që t’i nisin menjëherë procedurat ligjore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të shëmtuar dhe vënien e fajtorëve para drejtësisë”.
Po ashtu, presidenti Sejdiu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të ridëshmojnë pjekurinë e tyre politike, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien nën ndikimin e provokimeve apo dezinformatave të ndryshme, që kanë për qëllim ta prishin stabilitetin në vend.
KFOR-i dhe UNMIK-u dënojnë dhunën në Mitrovicë
Zv/shefi i UNMIK-ut, Larry Rosin, dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Xavier De Marnhac, e kanë dënuar shfrytëzimin e dhunës vdekjeprurëse, duke përfshirë këtu zjarrin e drejtpërdrejtë nga një bandë protestuesish në veri të Mitrovicës.
Në një komunikatë të përbashkët për opinion, të dy përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë kanë nënvizuar se dhuna e shfrytëzuar drejt Policisë së UNMIK-ut dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët sot rikthyen kontrollin mbi gjykatën në Mitrovicë, është shkelje flagrante e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ata kanë ftuar të gjitha komunitetet për qetësi.
Duke thënë gjithashtu se çdo përdorim tjetër i dhunës kalon vijën e kuqe, e cila qartësisht i është artikuluar udhëheqësve të serbëve të Kosovës në veri dhe zyrtarëve në Beograd, dy përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë kanë nënvizuar se UNMIK-u dhe KFOR-i do të kthejnë kontrollin mbi veriun e Mitrovicës.
KE-ja shpreh keqardhje për përleshjet në Mitrovicë
Komisioni Evropian ka shprehur keqardhje për përleshjet që kanë ndodhur të hënën në Mitrovicë. KE-ja u ka bërë thirrje palëve të vetëpërmbahen.
"Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën e tensionuar në veri të Mitrovicës. Ne shprehim keqardhje për sulmet kundër policisë së Kombeve të Bashkuara dhe personelit të KFOR-it. Ne bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje", thuhet në reagimin e KE-së.
"Komisioni gjithashtu dëshiron t'i shprehë mbështetjen e plotë UNMIK-ut dhe KFOR-it për ruajtjen e rendit në Kosovë", thuhet ndër të tjera në reagimin e KE-së.
Britania dënon sulmet ndaj policisë së UNMIK-ut
Britania e Madhe e ka dënuar sulmin ndaj policisë së UNMIK-ut në pjesën veriore të Mitrovicës. "Ne i dënojmë totalisht këto veprime të dhunshme të drejtuara kundër personelit të KB-së dhe NATO-s, që kanë për qëllim t'i pengojnë për ta kryer punën e tyre", thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të këtij vendi.
“Britania e kupton se ‘sa e vështirë’ është pavarësia e Kosovës për Serbinë dhe për serbët e Kosovës, por bën thirrje atyre që shqetësimet e vërteta që i kanë t'i adresojnë përmes dialogut politik".
Gjermania nuk përkrah ndarjen e Kosovës
Gjermania pret që forcat ndërkombëtare të vënë nën kontroll situatën në veri të Kosovës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Martin Jaeger ka deklaruar se "Gjermania nuk e konsideron si opsion ndarjen e Kosovës".
Komentet e tij u bënë pas përleshjeve të sotme ndërmjet protestuesve serb dhe policëve të UNMIK-ut.
Moskë: Duhen bisedime të reja për Kosovën
Rusia ka bërë thirrje për bisedime të reja ndërkombëtare mbi statusin e Kosovës, duke thënë se trazirat e fundit ishin pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë.
"Është e qartë se situata mund të normalizohet vetëm duke kthyer procesin e Kosovës në kornizën e ligjit ndërkombëtar, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët, e bazuar në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit", thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme në Moskë.
Duke iu referuar përleshjeve të sotme, deklarata e Rusisë thotë se "ngjarjet në Mitrovicë nuk mund të shihen të izoluara nga zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë”.
"Rritja e tensioneve atje, sidomos në zonat etnike serbe, është pasojë direkte e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga ana e Prishtinës, dhe mospranimi i këtij hapi jolegjitim nga serbët që jetojnë në Kosovë", thuhet në deklaratën e lëshuar në Moskë.
Qeveria: Ngjarjet e marsit të mos përsëriten më
Ndërkaq me rastin e katërvjetorit të ngjarjeve tragjike të 17 marsit të vitit 2004, Qeveria e Kosovës nëpërmjet një deklarate vlerëson se dhuna e atij viti "shënon një nga kapitujt e errët në historinë tonë të re".
Në deklaratë ndër të tjera thuhet se "qytetarët e Kosovës dënuan dhe refuzuan sulmet të asaj dite", kurse Qeveria e Kosovës sinqerisht shpreh keqardhjen për ngjarjet që shënuan atë ditë.
“Tani kur Kosova është shtet i pavarur, ne si qeveri dhe si lidership kemi përgjegjësi edhe më të madhe që të sigurohemi që ngjarje të tilla të dhunshme mos të përsëriten më”.
Qeveria me këtë rast i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të kujtojnë mësimet e marra në marsin e 2004 dhe të përkushtohen më fuqishëm për të ndërtuar një shtet në të cilin sundimi i ligjit triumfon mbi logjikën e dhunës dhe urrejtjes.
Kuçi: Veprim i ligjshëm
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i tha BBC-së pas ndërhyrjes së policisë në veri të Mitrovicës, se veprimi i saj ishte i ligjshëm dhe duhej të mbrohet me çdo kusht.
"Kjo është një tendencë që disa grupe të tensionuara dhe të frustruara, por edhe disa huliganë, të ndalen dhe ta kuptojnë se këtu vepron rendi dhe ligji", tha zoti Kuçi.
"Në këtë drejtim kemi kërkuar bashkëpunim të plotë me UNMIK-un dhe KFOR-in, por njëkohësisht edhe me SHPK-në. Një gjë duhet të dihet se në Kosovë dominon rendi dhe ligji dhe ai vlen për të gjithë", tha ai.
Samarxhiq: Të arrestuarit të lirohen menjëherë
Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, ka thënë se në mëngjes UNMIK-ut i është dorëzuar kërkesa që serbët e arrestuar në pjesën veriore të Mitrovicës, të lirohen menjëherë.
Samarxhiq ka deklaruar se aksioni i sotëm në ndërtesën e Gjykatës në Mitrovicë është i papranueshëm dhe jashtë çdo veprimi të civilizuar kur bëhet fjalë për krizë. "Kjo bëhet edhe më e papranueshme pasi që mbrëmë kam biseduar me zëvendësin e të dërguarit special, Larry Rossin, në Graçanicë", ka thënë ai.
"Mbrëmë u kam ofruar një marrëveshje për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mes të UNMIK-ut dhe Serbisë në lidhje me serbët në Kosovë, e pos kësaj kemi pasur edhe një marrëveshje parimore që asgjë të mos ndërmerret derisa unë të mos shkoj në Mitrovicë", ka thënë Samarxhiq, i cili aktualisht gjendet në Graçanicë. /Telegrafi dhe agjencitë/


