Please enter at least 3 characters.

“Po ti, e ke telefonuar nënën tënde?” - gazetari e provokon Mourinhon, portugezi shpërthen

Liga e Kampionëve rikthehet të martën, ndërsa ndeshja kryesore e mbrëmjes është përballja mes Real Madridit dhe Interit, që zhvillohet në orën 21:00 në "Santiago Bernabeu".

Në prag të kësaj sfide, trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, mësoi se nuk do të mund të llogarisë në tre futbollistë, ndërsa të premten pësoi humbjen e parë që prej rikthimit në stolin e madrilenëve, pasi Real Madridi u mposht nga Raal Betisi.

Në konferencën për shtyp, trajneri portugez ishte dukshëm nervoz dhe njëri prej gazetarëve arriti ta provokojë me pyetjet e tij.

“Ju keni thënë se disa ish-futbollistë nuk kanë përvojë të mjaftueshme për të drejtuar skuadrat më të mira”, i tha gazetari Mourinhos.

“Disa janë të mirë, disa janë të këqij. Chivu është i mirë sepse fiton”, u përgjigj Mourinho, duke iu referuar trajnerit të Interit, Cristian Chivut.

Gazetari më pas e pyeti nëse Mourinho e kishte telefonuar Chivun para ndeshjes.

Kjo pyetje e irritoi menjëherë portugezin.

“Po ti, kë ke telefonuar? Nënën tënde, babanë, të dashurën, miqtë e tu? Kë ke telefonuar? Dua ta di kë ke telefonuar ti”, iu përgjigj Mourinho në mënyrë ironike.

“Doja të dija nëse e kishit sqaruar situatën me të”, u mundua të shpjegonte gazetari.

“Çfarë duhej të sqaroja? Nuk ka asgjë për t’u sqaruar”, ia ktheu Mourinho, duke e mbyllur shkëmbimin me gazetarin.


Përplasja e shkurtër tregoi edhe një herë karakterin e Mourinhos në konferencat për shtyp, sidomos në prag të një ndeshjeje të madhe të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/