Persona të panjohur qëlluan me armë zjarri drejt Konsullatës Amerikane në Toronto
Një person i panjohur hapi zjarr ndaj Konsullatës së Shteteve të Bashkuara në qendër të Torontos në orët e para të mëngjesit të së hënës, në incidentin e dytë të tillë që ka në shënjestër këtë objekt diplomatik gjatë këtij viti.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, raportojnë mediat e huaja.
Sipas Policisë së Torontos, një roje sigurie në konsullatë dëgjoi të paktën një të shtënë rreth orës 04:46 me orën lokale.
Në vendngjarje u gjet një gëzhojë, ndërsa ndërtesa pësoi dëmtime të vogla. Dëshmitarët panë një veturë të bardhë që u largua me shpejtësi nga zona.
Policia nisi ndjekjen e automjetit të dyshuar, por e ndërpreu për arsye sigurie. Deri tani nuk është arrestuar asnjë person dhe motivi i sulmit mbetet i paqartë. Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet amerikane.
Ky është sulmi i dytë ndaj Konsullatës Amerikane në Toronto brenda katër muajve.
Në muajin mars, persona të armatosur qëlluan gjithashtu ndaj objektit diplomatik pa shkaktuar viktima, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse incidentet mund të jenë të lidhura. /Telegrafi/


