Please enter at least 3 characters.

Përplasje të ashpra për ekspozitën në Komisionin për të drejtat e njeriut

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione është mbajtur një mbledhje urgjente lidhur me ekspozitën për masakrat e viteve 1998-1999 në Kosovë, e realizuar në Prishtinë nga Shkëlzen Gashi.

Nënkryetari i komisionit, Artan Behrami, ka shprehur shqetësime për mënyrën e trajtimit të ngjarjeve të luftës dhe rrezikun e deformimit të narrativës historike.

“Ditët e fundit Kosova po përballet gjithnjë e më shpesh me tendenca për rishkrim dhe deformim të të vërtetave historike përmes interpretimeve që shtrembërojnë ngjarje të rëndësishme dhe krijojnë narrativa që bien ndesh me realitetin e dokumentuar. Këto zhvillime jo vetëm që dëmtojnë kujtesën kolektive, por edhe rrezikojnë të zbehin karakterin çlirimtar të luftës dhe të cenojnë dinjitetin e viktimave dhe sakrificave të tyre. Së fundmi, një ekspozitë e shfaqur në Prishtinë ka nxitur shqetësim të thellë publik për mënyrën e trajtimit të ngjarjeve të luftës. Përmbajtja e saj është devijim nga e vërteta historike, duke paraqitur në mënyrë të dëmshme masakrat dhe episode të ndjeshme të luftës. Një qasje e tillë rrezikon të relativizojë krimet e kryera nga Serbia, të deformojë narracionin historik dhe të lëndojë rëndë ndjenjat e familjeve të viktimave”, tha Behrami.

Ai ka kërkuar që çështja të trajtohet me urgjencë dhe të sqarohet roli i institucioneve në financimin dhe promovimin e ekspozitës, si dhe të vlerësohet përgjegjësia institucionale dhe individuale. Në këtë drejtim, është propozuar që komisioni të ftojë për raportim ministrin Andin Hoti.

Behrami ka theksuar se Kosova përballet me rrezik të trefishtë për rishkrimin e historisë.

“Gjykata Speciale ka dhe qëllimin të kriminalizojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Elementi i tretë, çfarë fatkeqësisht kemi parë në këto vite e që kurrë s’kam besuar që do t’i përjetojmë, janë disa eksponentë edhe brenda shoqërisë civile, po të afërt me qeverinë e zotit Kurti, po fatkeqësisht edhe ministra, dhe siç e kemi parë edhe kryeparlamentarja, të cilët financojnë me paratë e taksapaguesve një ekspozitë e cila fund e krye është narracion jo i viktimave, jo i Kosovës, por është narracion kryekëput i Beogradit”, tha Behrami.

Nga ana tjetër, anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, ka kundërshtuar këto qëndrime, duke theksuar se ekspozita nuk përfaqëson qëndrimin e qeverisë dhe se duhet bërë dallimi mes institucioneve dhe shoqërisë civile.

“Ne të gjithë jemi për mbrojtjen e vlerave të luftës. Në këtë aspekt është shumë shqetësuese që Behrami po e lidh një ekspozitë me tendencën e qeverisë. Ne e dimë kush e ka themeluar Gjykatën Speciale dhe si është votuar ajo. Ne kemi qenë kundër saj; Albin Kurti ka qenë ai që ka protestuar dhe është arrestuar në kundërshtim të kësaj gjykate dhe padrejtësisë që, sipas tij, po i bëhet Kosovës përmes saj”, deklaroi Haskuka.

Ai ka shtuar se në Kosovë duhet të trajtohen edhe çështje të tjera shqetësuese që lidhen me ndikime të jashtme dhe narrativat publike.

Ndërsa, Armend Zemaj anëtar i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shprehur shqetësime të ngjashme, duke theksuar nevojën për përgjegjësi dhe saktësi në financimin e projekteve që trajtojnë temat e luftës.

“Nuk mundet kjo me kalu pa përgjegjësi, pavarësisht betejave politike. Duhet të ketë saktësi sepse kur financohet nga paratë publike, nga taksat e qytetarëve një dokument, qoftë ai libër, ekspozitë ose gjëra të tjera, kjo tregon edhe seriozitetin se si funksionon dhe si i ndan paratë një qeveri e cila është edhe gardiane e mbrojtjes së taksave të qytetarëve të këtij vendi. Tash nëse me lehtësi dikush financon lloj-lloj dokumenti ose lloj-lloj libri ose lloj-lloj ekspozite ku dikush mund ta shpërndajë narracionin e të pavërtetës ose narracionin e deformimit të asaj siç është tentuar nga Serbia në vazhdimësi, duke i paraqitur shqiptarët si agresorë dhe jo si viktimë, kjo është tepër e padrejtë, është e pandershme edhe duhet të jetë e dënueshme”, tha Zemaj.

Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi ka theksuar se për herë të parë ekziston një ministri me mandat të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e vlerave të lirisë, duke kërkuar që në komision të ftohen edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Arsimit, për shkak të financimit të projekteve që, sipas saj, përmbajnë të dhëna të pasakta dhe dëmtojnë të vërtetën historike, si dhe për të sqaruar mekanizmat mbikëqyrës të këtyre financimeve.

Ndërkaq në këtë mbledhje pati edhe tensione mes deputetëve. Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba në fjalën e tij në Komisionin për të Drejtat e Njeriut ka kritikuar Qeveritë e kaluara, duke thënë se ka persona që kanë qenë ish-këshilltarë më herët dhe se jetojnë në Shqipëri.

Zyba iu drejtua Zemajt duke i thënë se ka votuar ligj pro amnistimit të krimeve serbe, gjë që e kundërshtoj Zemaj.

Në këtë mbledhje janë përmendur edhe shqetësime për financimin e projekteve nga institucionet, si dhe nevoja për transparencë dhe përgjegjësi në përdorimin e mjeteve publike, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së të vërtetës historike dhe respektit ndaj viktimave të luftës. /Kp/