Please enter at least 3 characters.

Përfundon numërimi dhe verifikimi i votave në 30 komuna

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri të premten në orën 16:00 janë përmbyllur aktivitetet në 30 Qendra Komunale të Numërimit (QKN) në kuadër të procesit të zgjedhjeve lokale.

Sipas KQZ-së, numërimi dhe verifikimi i rezultateve është finalizuar në komunat: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj, Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri, Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë e Jugut dhe Podujevë.

Nga të dhënat e raportuara:

Janë verifikuar rezultatet për 2,303 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash;

Janë verifikuar rezultatet për subjektet politike nga 2,308 vendvotime për Kuvendet Komunale;

Po ashtu, numërimi i votave të kandidatëve për Kuvendet Komunale është përmbyllur në 2,308 vendvotime.

Në total, nga 5,142 kuti votimi që përfshijnë të dyja llojet e zgjedhjeve, deri më tani janë procesuar 4,611 kuti.

KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit dhe verifikimit po zhvillohet me transparencë dhe në prani të vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave vendore e ndërkombëtare.