PDK dhe LDK bëjnë thirrje për debat politik, ftojnë Kurtin të përballet publikisht
Pak para nisjes së debatit politik, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo parti po krijon hapësirë që kryeministri Albin Kurti të shprehë qëndrimet e tij në një debat të hapur politik.
Haziri tha se fillimisht nuk e kishte planifikuar të ishte pjesë e debatit, por kishte vendosur të bashkohej për të diskutuar dallimet politike mes partive.
“Unë nuk kam pasur qëllim të jem pjesë e debatit, por vendosa të bashkëngjitem për të diskutuar dallimet dhe për të debatuar mbi to,” deklaroi Haziri.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ishte mysafirja e parë që mbërriti në emisionin politik Politiko, pak para nisjes së debatit mes përfaqësuesve të partive politike.
Duke folur për rëndësinë e përballjes politike, Çitaku theksoi se PDK-ja nuk i është shmangur asnjëherë debateve dhe se ato janë thelbësore për funksionimin e demokracisë.
“Debati në demokraci është i domosdoshëm dhe PDK nuk i ikën debateve,” tha Çitaku, duke shtuar se shpreson që edhe kryeministri Albin Kurti të tregojë gatishmëri dhe t’i përgjigjet ftesës për një debat të hapur politik.
Thirrjet nga LDK dhe PDK vijnë në kohën kur debati publik mes partive opozitare dhe kryeministrit Kurti ka munguar, ndërsa kërkesat për transparencë dhe përballje politike po shtohen./Telegrafi.


