Pas sulmit nga ujku në oborrin e shtëpisë, 5 vjeçarja në gjendje stabile – lëndimet në gjoks dhe shpinë
Gjendja shëndetësore e fëmijës 5 vjeçar i cili u sulmua mbrëmjen e së mërkurës nga një ujk në oborrin e shtëpisë së tij në Brod të Shtërpcës është stabile.
Lajmin e bëri të ditur drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.
Sipas tij, fëmija ka marrë lëndime në gjoks dhe në shpinë.
“Gjendja është stabile për momentin, por është duke u përcjell. Jemi duke u përkujdesur, ekzaminimet e nevojshme janë bërë të gjitha. Kemi ftuar dhe ekipin e epidemiologjisë....gjendja është stabile por ky pacient duhet të qëndroj rreth një javë ditë në klinikën tonë. Lëndimet i ka në gjoks dhe në shpinë”, tha Kolgeci.
Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha se fëmija pas sulmit është dërguar fillimisht në qendrën emergjente në Ferizaj, e më pas në Prishtinë.
“Me datën 27 gusht 2025, 21:45 policia në Shtërpcë është informuar për një sulm që ka ndodhur në lagjen ‘Coklarë’ të fshatit Brod, ku një ujk ka sulmuar një fëmijë. Fëmija pas sulmit është dërguar fillimisht në qendrën emergjente në Ferizaj, e më pas në Prishtinë, për trajtim më të specializuar mjekësor. Sipas familjarëve, sulmi kishte ndodhur rreth orës 19:00 kur fëmija, 5 vjeç ishte në oborrin e shtëpisë”, ka thënë Veseli. /Telegrafi/


