Please enter at least 3 characters.

Pas samitit të Pekinit, Trumpi nuk duhet t'i besojë Jinpingut pa e verifikuar

Ilustrim: Donald Trump dhe Xi Jinping

Nga Linas Garsys / The Washington Times

Nga: Clifford D. May / The Washington Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Sa i suksesshëm ishte samiti i javës së kaluar në Pekin? Presidenti Trump tha se ishte “sukses i madh”. Xi Jinping, sundimtari suprem i Kinës, thjesht e quajti takimin “konstruktiv.”

Ndoshta z. Xi mendoi: “Trump është dinak dhe i paparashikueshëm, prandaj më mirë t’i mbaj marrëdhëniet tona të qëndrueshme për sa kohë që ai është në detyrë.”

Është gjithashtu e mundur që ai të ketë menduar: “Unë di si të luaj me Trumpin. Vladimir Putini më viziton gjithashtu pas disa ditësh. Do t’i tregoj atij, Kim Jong-unit dhe atyre që tani mbajnë në dorë frenat në Teheran se çfarë duhet të bëjnë më pas.”

Nëse e ndoqët samitin në televizor, patë pompozitet: një gardë nderi ushtarake, fëmijë që valëvitnin flamuj dhe një ceremoni madhështore me tapet të kuq.

Ajo që mund të mos keni vënë re: e gjithë kjo ishte organizuar nën hijen e Sheshit Tiananmen ku, në vitin 1989, Partia Komuniste Kineze [PKK] masakroi qindra, ndoshta mijëra demonstrues paqësorë për demokraci.

Nëntë vjet më vonë, pasi gjaku ishte pastruar prej kohësh nga sheshi, presidenti Clinton mbërriti në Pekin për të ngritur dolli me sundimtarët e Kinës. Shpejt më pas ai filloi të shtynte përpara pranimin e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë [OBT]. Kjo ndodhi në vitin 2001.

“Futja e Kinës në OBT është vendim ku fitojnë të dyja palët,” tha z. Clinton. “Ajo do ta mbrojë prosperitetin tonë dhe do të promovojë llojin e duhur të ndryshimit në Kinë.”

Ishte eksperiment fisnik dhe dështoi.

Që atëherë, PKK-ja ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë kundër interesave amerikane: duke vjedhur pronësi intelektuale në shkallë industriale, duke depërtuar në infrastrukturën kritike përmes operacioneve kibernetike dhe duke përmbytur komunitetet amerikane me fentanil, ndërsa mediat e saj shtetërore dhe një algoritëm me 179 milionë përdorues amerikanë përmbytin mendjet amerikane me keqinformim.

Javën e kaluar, z. Trump njoftoi se samiti kishte rezultuar në marrëveshjen për blerjet kineze të produkteve bujqësore amerikane dhe aeroplanëve Boeing. Ai tha gjithashtu se z. Xi ishte pajtuar që Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet rrugë ujore ndërkombëtare dhe se sundimtarët e Iranit nuk duhet të kenë armë bërthamore.

A do të ndalojë z. Xi së furnizuari Teheranin me inteligjencë satelitore për të shënjestruar forcat amerikane? Siç e tha disi presidenti Ronald Reagan: Dysho dhe verifiko.

Xi Jinpingu është marksist/leninist/stalinist/maoist. Ndër titujt e tij janë: sekretar i përgjithshëm i PKK-së, president i Republikës Popullore të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak.

Nën këtë strukturë fshihet diçka më e vjetër dhe po aq e rrezikshme: bindja perandorake se Kina nuk është thjesht fuqi e madhe, por edhe qendra legjitime e vetë qytetërimit, Mbretëria e Mesme, qendra e mirëfilltë e botës e rrethuar nga popuj më pak të qytetëruar që duhet t’i paguajnë haraç sundimtarit të vetëm legjitim të planetit.

Qëllimi afatgjatë i z. Xi nuk është asgjë më pak se një rend i ri botëror në të cilin Kina zëvendëson ShBA-në si kombi dominues i botës.

Gjatë samitit, ai përmendi “Kurthin e Tukididit” - idenë se një fuqi në ngritje që sfidon një hegjemoni të etabluar rrezikon konfliktin. Nënkuptimi ishte i qartë: nëse ShBA-ja refuzon të përshtatet ndaj ambicieve të Pekinit, atëherë lufta bëhet pothuajse e pashmangshme.

Ai prej vitesh ka bërë deklarata të tilla para afërsisht 100 milionë shokëve të tij të PKK-së. Fjalimet dhe artikujt e tij janë lexuar me kujdes në gjuhën mandarine nga Matt Pottinger, një ekspert i mprehtë i Kinës që shërbeu si zëvendëskëshilltar për sigurinë kombëtare në administratën e parë Trump dhe që tani drejton programin për Kinën në institutin tim kërkimor [Foundation for Defense of Democracies].

Për shembull, këtë vërejtje të z. Xi në një tekst mësimor të PKK-së: “Ideologjia dhe sistemi shoqëror i shtetit tonë janë të papajtueshme me Perëndimin. Kjo do të thotë që lufta dhe gara jonë me vendet perëndimore është e pakompromis, prandaj ajo në mënyrë të pashmangshme do të jetë e gjatë, e ndërlikuar dhe ndonjëherë shumë e ashpër.”

Aty ku kjo mund të bëhet e ashpër më shpejt është Tajvani. Z. Xi është i përcaktuar të pushtojë dhe të nënshtrojë tajvanezët - një popull i lirë, vetëqeverisës dhe i begatë, që do të preferonte të mos sundohej nga komunistët në anën tjetër të Ngushticës së Tajvanit.

Z. Xi është gjithashtu shumë i vetëdijshëm se kompania tajvaneze TSMC prodhon rreth 90 përqind të çipave më të avancuar në botë. Këta janë jetikë për zhvillimin e inteligjencës artificiale. Kushdo që kontrollon çipa të tillë kontrollon lartësitë komanduese të botës së ardhshme të drejtuar nga inteligjenca artificiale.

Në samit, z. Xi paralajmëroi se përplasja me ShBA-në për Tajvanin mund të krijonte “një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme.”

Z. Trump nuk u tërhoq nga pozicioni i kahershëm amerikan i “paqartësisë strategjike,” duke refuzuar të thoshte nëse ShBA-ja do të ndihmonte në mbrojtjen e tajvanezëve në rast se ata do të sulmoheshin. Ai gjithashtu nuk tha nëse do të miratojë një shitje armësh prej 14 miliardë dollarësh, ende në pritje, për të cilën Tajvani ka nevojë për parandalim dhe, nëse kjo dështon, për mbrojtje.

Ata që e karakterizojnë këtë samit si sinjal të një detanti, përmendin dollinë që z. Xi ngriti gjatë një banketi shtetëror në Sallën e Madhe të Popullit. ShBA-ja dhe Kina, tha ai, “duhet të jenë partnere dhe jo rivale”.

Do t’ju kujtoja dy maksima nga Arti i luftës i strategut ushtarak kinez të lashtësisë, Sun Tzu: “E gjithë lufta bazohet në mashtrim” dhe “vendos karrema për të joshur armikun.”

Brenda establishmentit të politikës së jashtme dhe medias, dëgjojmë vazhdimisht se ShBA-ja dhe Kina janë të përfshira në një “garë strategjike.” Kjo tingëllon si një ndeshje olimpike pingpongu, gjë që mund t’i çojë njerëzit të besojnë se mund të rrimë duarkryq dhe të lejojmë që ideologjia dhe sistemi më mirë shoqëror të fitojë.

Është e domosdoshme të kuptohet se eksperimenti amerikan, tashmë 250-vjeçar, po vihet në provë nga ajo që është, pothuajse sipas çdo matjeje, partia më e fuqishme komuniste në histori.

Nëse synimi ynë është t’ua përcjellim mënyrën tonë të jetesës fëmijëve tanë, atëherë duhen përpjekje serioze dhe sakrifica reale.

Nëse, përkundrazi, lejojmë që algoritmet e PKK-së të na dezinformojnë ndërsa Pekini armatos dhe trimëron aleatët e tij në Moskë, Teheran dhe Phenian, atëherë do të kemi shpërdoruar atë që u deshën dy shekuj e gjysmë për t’u ndërtuar. Z. Xi po mbështetet pikërisht në këtë. /Telegrafi/