Osmani nuk tregon nëse do t’i marrë nënshkrimet e ofruara nga LVV
Presidentja Vjosa Osmani pas ceremonisë së rreshtimit të kuadrateve të FSK-së nuk ka treguar nëse do të marr nënshkrimet e ofruara nga Lëvizja Vetëvendosje për të hyrë në garën për presidente.
Osmani tha se sot nis Epopeja e UÇK-së dhe kjo është tema kryesore dhe e vetme.
“Siç iu kam informuar, sot është Epopeja e UÇK-së, kjo është tema kryesore dhe e vetme”, tha ajo pas rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, raporton Kp.
Ndryshe, LVV-ja të mërkurën tha se nënshkrimet ia ka ofruar edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të dytë, por ajo ka refuzuar. Presidenca tha se këto pretendime janë gënjeshtra.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se do të bëjë përpjekje edhe pasdite për ta finalizuar procesin e zgjedhjes së presidentit, por ende nuk dihet nëse do të ketë seancë apo në sa ora mund të mbahet.
Ndërkaq paqartësi janë shfaqur edhe rreth asaj nëse pjesëmarrja dhe votimi në seancën për presidentin përbëjnë obligim për deputetët, apo edhe nëse moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi çon vendin përsëri në zgjedhje të parakohshme. /Telegrafi/


