OSBE mirëpret Strategjinë për qasje më të mirë në drejtësi: Rasteve të gazetarëve t’u jepet përparësi
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mirëpritur miratimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2026–2028, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së gazetarëve dhe profesionistëve të medias.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpret miratimin nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2026–2028, një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes më të fuqishme të gazetarëve dhe profesionistëve të medias”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.
Sipas Misionit, Strategjia kërkon nga gjyqtarët që t’u japin përparësi rasteve që përfshijnë gazetarët, përfshirë krimet ndaj profesionistëve të medias, procedurat për shpifje dhe paditë e ashtuquajtura “SLAPP”.
“Strategjia kërkon që gjyqtarët të prioritizojnë rastet që përfshijnë gazetarët, përfshirë krimet ndaj profesionistëve të medias, procedurat për shpifje dhe paditë që duket se janë ngritur me qëllim ngacmimin ose presionin ndaj gazetarëve”, thekson OSBE.
OSBE vlerëson se trajtimi më i shpejtë i këtyre rasteve ndihmon në adresimin pa vonesa të sulmeve ndaj gazetarëve dhe në identifikimin e shpejtë të padive të pabazuara.
“Trajtimi më i shpejtë i këtyre rasteve mund të ndihmojë që sulmet ndaj gazetarëve të adresohen pa vonesa, ndërsa pretendimet e pabazuara ose abuzive të identifikohen dhe të zgjidhen shpejt”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, Misioni i OSBE-së thekson se zbatimi i Strategjisë është thelbësor dhe kërkon koordinim efektiv ndërinstitucional.
“Zbatimi tani ka rëndësinë më të madhe: monitorimi dhe raportimi për Strategjinë duhet të shoqërohen me koordinim efektiv ndërmjet policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit”, thuhet në njoftim, duke përmendur mekanizmat e koordinimit në funksion që nga viti 2017 për trajtimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të medias. /Telegrafi/


