Please enter at least 3 characters.

Organizata Çohu: Hidrocentralet kanë shkaktuar dëme mjedisore dhe pakënaqësi te qytetarët

Organizata Çohu ka reaguar lidhur me ndikimin e hidrocentraleve në Kosovë, duke theksuar se ndërtimi dhe operimi i tyre kanë shkaktuar dëme të shumta mjedisore dhe reagime nga qytetarët.

Në një postim në Facebook, kjo organizatë ka bërë të ditur se projektet e tilla kanë nxitur pakënaqësi dhe protesta në komunitete të ndryshme.

“Ndërtimi dhe operimi i hidrocentraleve ka shkaktuar dëme të shumta mjedisore. Ato kanë shkaktuar pakënaqësi dhe protesta”, thuhet në reagim.

Sipas Organizatës Çohu, në disa raste ka pasur edhe përpjekje për të penguar reagimin qytetar ndaj këtyre projekteve.

“Në anën tjetër ka pasur përpjekje për të heshtur dhe frikësuar aktivistët dhe qytetarët që i kundërshtuan ato”, thuhet më tej.

Në reagim theksohet se një pjesë e hidrocentraleve janë ende në procese administrative dhe gjyqësore.

“Disa hidrocentrale aktualisht janë në proces të pajisjes me leje mjedisore, disa në pritje të vendimeve nga gjykatat”, vijon postimi.

Po ashtu, organizata i referohet edhe vlerësimeve të ekspertëve lidhur me ndikimin e këtyre projekteve në mjedis.

“Ekspertët thonë se lumenjtë e Kosovës nuk janë alternativë e duhur për hidrocentrale sepse dëmet janë shumë më të mëdha sesa dobia”, përfundon reagimi i Organizatës Çohu. /Telegrafi/