OEAK: DASH riafirmon mbështetjen për konsiderimin strategjik të gazit natyror amerikan në Kosovë
Në diskutimin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, Zëvendës ndihmës Sekretari i Departamentit të Energjisë së Shteteve të Bashkuara për Evropën, Euroazinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme, Dan Byers, riafirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e Kosovës drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të sigurisë energjetike.
Në njoftimin e OEAK-ut thuhet se duke nënvizuar se “siguria energjetike është siguri kombëtare”, Byers theksoi se qëndrueshmëria energjetike matet përmes diversifikimit të burimeve dhe alternativave të furnizimit.
Ai vlerësoi rolin e thëngjillit si bazë e sistemit energjetik të Kosovës, por shtoi se gazi i lëngshëm natyror (LNG) mund të bëhet një komponent i rëndësishëm i miksit energjetik të vendit në të ardhmen, veçanërisht në kushtet e rritjes së kërkesës për energji.
“Duke folur për potencialin e furnizimit, Byers theksoi se Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe se kapacitetet amerikane të eksportit të LNG-së pritet të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme. Ai nënvizoi se SHBA-të tashmë furnizojnë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së dhe se do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbështetjen e aleatëve evropianë përmes furnizimeve të sigurta dhe të diversifikuara me energji”, thuhet në njoftim.
OEAK më tej bën të ditur se Byers theksoi se disponueshmëria e furnizimit nuk është e mjaftueshme pa zhvillimin e infrastrukturës përkatëse, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve në ndërlidhje rajonale dhe korridore energjetike që mund të mundësojnë qasjen e Kosovës në LNG.
Në këtë kontekst, ai përmendi përkushtimin e Departamentit të Energjisë për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa rajonale që forcojnë sigurinë energjetike në Evropën Juglindore.
Duke iu referuar rekomandimeve të Odës Amerikane, Byers theksoi rëndësinë e planifikimit afatgjatë, studimeve të fizibilitetit, investimeve strategjike dhe diplomacisë energjetike për të siguruar që Kosova të jetë e përgatitur për të përfituar nga mundësitë që ofron LNG-ja.
Në përmbyllje, ai riafirmoi gatishmërinë e Departamentit të Energjisë së SHBA-ve për të mbështetur Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve dhe bashkëpunimit strategjik, duke theksuar se forcimi i sigurisë energjetike të aleatëve dhe partnerëve mbetet një prioritet i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/


