Please enter at least 3 characters.

Nxënësit e Gjakovës aftësohen për veprime miqësore me mjedisin përmes “Shkollës së Aktivizmit Mjedisor”

Rreth 100 nxënës të Gjimnazit “Hajdar Dushi” dhe Shkollës së Mesme të Lartë Ekonomike “Kadri Kusari” kanë marrë pjesë në punëtoritë e “Shkollës së Aktivizmit Mjedisor”, të organizuara nga EC Ma Ndryshe, me qëllim forcimin e njohurive dhe ndërgjegjësimit të të rinjve për çështjet mjedisore dhe ndryshimet klimatike.

Gjatë punëtorive, nxënësit kanë diskutuar mbi biodiversitetin, ndotjen, të ardhmen e ekosistemeve dhe ndryshimet klimatike, duke eksploruar mënyra konkrete se si mund të kontribuojnë për një mjedis më të pastër dhe më të qëndrueshëm, përcjell Telegrafi.



Përmes ushtrimeve praktike dhe diskutimeve ndërvepruese, pjesëmarrësit janë inkurajuar të hartojnë nisma komunitare për mbrojtjen e mjedisit në shkolla dhe lagje, si pjesë e promovimit të agjendës së gjelbër dhe pjesëmarrjes aktive qytetare.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra – Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, që zbatohet nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues. /Telegrafi