Numri i viktimave me COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar shkon në mbi 100 mijë
Numri i përgjithshëm i viktimave nga coronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar ka tejkaluar shifrën prej 100 mijë.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, të dhënat nga statistikat kombëtare të vendit tregojnë se që nga fillimi i pandemisë kanë ndërruar jetë 104 mijë persona si pasojë e COVID-19.
Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të pandemisë, Mbretëria e Bashkuar tashmë ka vaksinuar rreth 6 milionë njerëz me dozat e para.
Zëvëndës shefi mjekësor për Anglinë, profesori Jonathan Van-Tam, pati deklaruar ditë më parë se edhe njerëzit e vaksinuar mund ta përhapin coronavirusin, si dhe bëri thirrje që njerëzit t’i respektojnë masat kufizuese.
Bazuar në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins, numri i përgjithshëm i rasteve në vend vlerësohet të jetë rritur në 3.6 milionë.
Frika për sa i përket përhapjes së virusit vdekjeprurës erdhi edhe pas shfaqjes së variantit të ri të COVID-19. /Telegrafi/


