Nuk ka një librari, si ajo e Lumo Skëndos ...
Nga: Vedat Kokona (1913-1998), pjesë nga kujtimet Endur në tisin e kohës
Në Tiranën e viteve tridhjetë [shekulli XX], që kishte nja tridhjetë mijë banorë dhe jo pesëqind e ca mijë si sot, kur shkonin a nuk shkonin nja katër karroca dhe ndonjë veturë në Sheshin e Bashkisë, kur dilnin vetëm dy gazeta të përditshme dhe një revistë në javë, kishte një librari, i zoti i së cilës ishte Mit'hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, bir i Abdylit dhe nip i Samiut dhe i Naimit.
Kur mendoj se sot, në Tiranën me gjysmë milion e ca banorë, të mijëra veturave që paradojnë në karuzelin e Sheshit Skënderbej, ku botohen me dhjetëra gazeta e revista në ditë, madje edhe pornoje dhe se nuk ka një librari si ajo e Lumo Skëndos më shumë se gjysmë shekulli më parë, më hipën valë hidhërimi që s'di si ta përcaktoj.
Ishte një librari e bukur, vendit të së cilës s'i ka mbetur as gjurma më e vogël, jo vetëm e asaj të parës të viteve ‘33, por as asaj që ishte në Rrugën Mbretnore, pranë Bela Venecias që më vonë u quajt Rruga e Barrikadave dhe që sot edhe asaj i ka humbur vula. Sipas traditës së vendit tonë çdo gjë e bukur prishet dhe vendin e saj e zë e shëmtuara.
Që disa vjet më parë kisha dëgjuar emrin e Lumo Skëndos, emrin e librit "Hi dhe shpuzë”, që kishte botuar në fillimin e shekullit tonë, pastaj edhe nga babai që e kishte mik dhe që ishte pajtuar në revistën "Dituria" që botonte në Tiranë në vitet tridhjetë. Nuk e kisha parë kurrë në kafenetë Bela Venecia dhe Kursal të kryeqytetit, siç shihja qeveritarët dhe intelektualët e asaj kohe. Lumo Skëndon mund ta gjeje vetëm në Librarinë Lumo Skëndo.


