Please enter at least 3 characters.

Norvegjia do të shpenzojë gati 2 miliardë dollarë për sistemin e artilerisë së Koresë së Jugut

Hanwha e Koresë së Jugut do të furnizojë Norvegjinë me sisteme artilerie raketash me rreze të gjatë veprimi me vlerë 19 miliardë krona (1.98 miliardë dollarë apo rreth 1.7 miliardë euro), njoftoi Oslo.

Kontrata përfshin blerjen e 16 sistemeve të lëshimit dhe një sasi të pazbuluar municionesh me një rreze veprimi deri në 500 kilometra, tha Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë në një deklaratë të enjten.

Ajo gjithashtu përfshinte mbështetje logjistike, pajisje trajnimi dhe sisteme mbështetëse, shtoi ajo, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

"Kjo do të rrisë aftësinë tonë për të penguar në mënyrë të besueshme kundërshtarët e mundshëm", ka thënë ministri i Mbrojtjes Tore Sandvik, duke vënë në dukje se artileria me rreze të gjatë veprimi përfaqësonte një kapacitet të ri për ushtrinë e vendit.

Norvegjia zgjodhi sistemet e Hanwha-s mbi ato të grupit franko-gjerman KNDS, Rheinmetall të Gjermanisë dhe një konsorciumi që bashkon Saab të Suedisë dhe kompaninë amerikane Boeing.

Norvegjia, anëtare e aleancës ushtarake perëndimore NATO, ndan një kufi tokësor prej 198 kilometrash me Rusinë në Arktik.

Sipas Oslos, vetëm sistemi Chunmoo i Hanwha-s përmbushi të gjitha kërkesat e vendit nordik, veçanërisht për sa i përket rrezes së veprimit.

Municionet pritet të prodhohen në Poloni, e cila ka porositur gati 300 të të njëjtit sistem dhe ka rregulluar prodhimin vendas, tha qeveria norvegjeze. /Telegrafi/