Një hap larg historisë, Kosova fiton më shumë se një ndeshje
Kosova mundi Sllovakinë në një ndeshje të madhe, në zemër të kryeqytetit sllovak. Por kjo nuk ishte vetëm një fitore.
Ishte një moment që të bën të ndalesh për pak dhe të reflektosh se sa larg kemi arritur.
Kjo ishte një fitore historike, sportive, politike dhe diplomatike.
Aspekti sportiv
Kosova ka edhe një ndeshje kundër Turqisë, të martën në Prishtinë.
Nëse fitojmë, dhe kjo është plotësisht e mundshme, ne shkruajmë historinë më të madhe të sportit tonë: kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026, në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Dhe këtu emocioni bëhet edhe më i madh… Sepse kjo rrugë nuk ka nisur sot.
Në vitin 1999 ishim në luftë. Në vitin 2008 shpallëm pavarësinë. Në vitin 2016 u pranuam në FIFA dhe UEFA. Luajtëm ndeshjet e para, ndërtuam ekipin, duruam humbje, por nuk u ndalëm.
Dhe sot, jemi një hap larg Botërorit. Kjo nuk është vetëm histori futbolli. Është histori këmbënguljeje.
Aspekti politik
Kosova ende përballet me sfida të pranisë ndërkombëtare, ani pse është një shtet me qëllim dhe synim pro euroatlantik. Për shkak të politikës, ende nuk është pjesë e Bashkimi Evropian, NATO apo OKB.
Por në fushën e gjelbër, Kosova po e thotë qartë emrin e saj. Sllovakia është një nga vendet e BE-së që nuk e njeh Kosovën. Por dje, në fushë, Kosova u pa, u ndje dhe u respektua.
Ndonjëherë, sporti arrin aty ku politika nuk mundet.
Dje dhe sot, mediat më të mëdha sportive ndërkombëtare po flasin për Kosovën. Për djemtë tanë. Për një ëndërr që është shumë afër të bëhet realitet.
Kjo është diplomacia më e mirë e Kosovës.
Një ëndërr që vazhdon
Paraqitja e Kosovës ishte e jashtëzakonshme. Tani kemi edhe një hap. Vetëm një.
Dhe ky hap lidhet edhe me një emër që nuk harrohet kurrë: Fadil Vokrri. Një njeri që e pa këtë ëndërr kur dukej e pamundur.
Të martën, në stadiumin që mban emrin e tij në Prishtinë, kjo ëndërr mund të marrë formë reale. Dhe ndoshta… për një moment, të gjithë do ta ndiejmë se historia nuk është diçka e largët. Ajo po ndodh para nesh.
Andaj, forca djema. Na keni bërë krenarë, jo vetëm për rezultatin, por për atë që përfaqësoni.
Historia është shumë afër.


