Nis asfaltimi në rrugën Kijevë–Malishevë
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se kanë nisur punimet e asfaltimit në një pjesë të segmentit të rrugës Kijevë–Malishevë (R119).
Sipas ministrisë, punimet në këtë projekt po zhvillohen me ritëm të mirë, ndërsa projekti parasheh rehabilitimin e 8.6 kilometrave të rrugës.
Investimi, sipas njoftimit, kap vlerën prej 2.4 milionë eurosh dhe financohet nga Qeveria e Kosovës.
Përveç asfaltimit të ri, projekti përfshin edhe rregullimin e trotuareve, trajtimin e ujërave atmosferike, ndërtimin e pritoreve të autobusëve dhe vendosjen e sinjalizimit modern rrugor.
Ministria ka bërë të ditur se investimi në rrugën Kijevë–Malishevë është një nga projektet infrastrukturore që po zhvillohen në këtë komunë, krahas rrugës Arllat–Malishevë. /Telegrafi/


