Please enter at least 3 characters.

Ngritja dhe rënia e subjekteve politike

- Ku qëndron sekreti i “ngritjes” apo “rënies” se disa subjekteve politike në zgjedhjet e vitit 2009? -

Për të argumentuar abstenimin akoma të madh të qytetarëve Kosovar edhe në zgjedhjet 2009, padyshim që lypen jo vetëm argumentet shkencore empirike sociologjike, por edhe sish politike (sa ishte joshja me programet që ofruan kandidatët për kryetarë komunash), juridike (në çfarë niveli u aplikuan procedurat e votimit), dhe çka është me e rëndësishme: si u abuzuan votat e sovranit në disa komuna, sidomos në komunën e Gjakovës, ku me video incizime u pa haptas se si u masakruan votat!?, etj.

Në një studim të organizuar nga IDERK-u (Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike të Kosovës), lidhur me shkaqet e serishme të këtij abstenimi kaq të madh të qytetarëve kosovar në zgjedhjet e sivjetme lokale, padyshim si argument dominues në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës nxorën “një lloj mosbesimi dhe pasigurie e madhe e qytetarëve Kosovar tek kasta aktuale politike” (!), pastaj "fokusimin e tepërt të lidershipit partiak në temat nacional/jo ato lokale/", si edhe "anatemimin e kundërshtarit deri përtej logjikes së shëndoshë"(!) .

Pra, “mosbesimi...” dhe “fokusimi i tepërt...”, së bashku me “anatemimin e kundërshtarit...” në mënyrë permanente gjatë fushatës para elektorale, si parametra që u fuqizuan në rangun e një ndër shkaqeve kryesore për të abstenuar, në fakt ishin një tregues kujtojë tepër i mjaftueshëm që qytetarët i zmbrapsi nga dalja shumë më masovike në zgjedhjet e nëntorit te sivjetmë.

Por, nëse e vazhdojmë analizën tonë të mëtejmë, në kuadër të këtyre faktorëve padyshim që do të identifikojmë edhe disa sish të rinj: siç janë:”pakënaqësia me qeverisjen lokale”, si edhe “pasiguria e përgjithshme në elitat aktuale politike” së bashku me “keq menaxhimet, jo profesionalizmin dhe jo llogaridhënien e kastës aktuale politike” lidhur me proceset dhe zhvillimet demokratike zgjedhore.

Për mendimin tonë qeveritë e reja lokale do të duhej t’i kishin parasysh të gjithë këta tregues në mënyrë që të mos postohet i gjithë ky “mosbesim, pasiguri, pakënaqësi me qeverisje, keq menaxhim, jo profesionalizëm dhe jo llogaridhënie” edhe në nivelin ku ata nesër do ta ndërtojnë demokracinë e vërtetë me qytetaret e qyteteve të tyre.

Ndryshe, kontingjenti e gjerë e abstenuesve (mbi 50%) në momentin e arritjes së krijimit të një mase kritike për ta lëvizur tërë këtë potencial dhe fuqi (të njëmendët opozitare për mendimin tim (!) pak a shume indiferente deri tash ndaj proceseve zgjedhore, por jo edhe proceseve në tërësi demokratike do të mundej seriozisht ta kërcënonte dhe ta kontestonte nga të gjitha dimensionet estabilishmentin që do të dal nga zgjedhjet nacionale që do të mbahen para ose në vitin 2011.

Por sa janë numrat dhe përqindjet argumente të fuqishme për ta kontestuar dhe për ta ndërruar një qeveri legjitime të dal nga vota e sovranit?

Në demokracitë bashkëkohore, kjo është shumë e mundur dhe legale, por në rastin e Kosovës pra në rastin post zgjedhor 2009, sfida më e madhe për ta lëvizur 50% e abstenuesve nuk janë rreshtimet kah opozita e as joshja me programe interesante, por para së gjithash bindja dhe unifikimi i interesave të shtresave të rrezikuara sociale që në Kosovë pikërisht përputhet me kontingjentin e abstenuesve.

E themi kështu, edhe për shkak se nga UNDP-ja, në "paralajmërimin e tyre të hershëm", kemi parametrat e "varfërisë sociale", dhe të "papunësisë", që do të mund ta kërcënojnë në çdo kohë dhe në çdo vend tërë procesin e legjitimitetit zgjedhor të nivel nacional që pritet të mbahet në vitin 2011, apo edhe në mos më herët!

Një parametër i panjohur akoma mbetet mënyra e udhëheqjes së qeverisë aktuale, si edhe shkalla e interesimit të kësaj qeverie për të ndërtuar kapacitetet dhe infrastrukturën e duhur ligjore dhe demokratike në Kosovën.

Tash pas përfundimit te zgjedhjeve për Asamblist loja e programeve do të bëhet edhe me interesante edhe për shkak se kjo mënyrë e "komunikimit me qytetaret e komunave ku do te mbahet balotazhi dosido do të arrij të “provokoi” jo vetëm kulturën militante të secilës parti veç e veç, por edhe bindjet e edhe qëndrimet e çdo qytetari pa marr parasysh se për cilin kandidat apo cilën parti kishte votuar ai me 15 nëntor.

Në mungesë të një nivelit të këtillë të elektoratit shqiptar, mendojë se do të ishte e preferuar të ndërtohej apo ngrihej një institucion moral dhe juridik kodifikues i cili sado kudo do zbusë tensionimet ndërpartiake. Në rastin e Kosovës aktivizimi i kodeve të këtilla do të ishte i dobisë së shume fish, tekefundit këtë do të thosha e kërkon edhe vetë situata e jo definuar e statusit politik të Kosovës.

Ky model i sjelljeve do të shërbente në fund edhe si preventivë e përçarjeve, radikalizimeve dhe de mistifikimit të qëndrimit negativ që ka filluar të formohet nga ana e perëndimorëve për kinse; paaftësinë e shqiptarëve që ta ndërtojnë shoqërinë civile, pastaj mos tolerancën e shprehur ndëretnike fill pas luftës.

Së dyti, kodifikimi i qëndrimeve në këtë fazë dosido do të ndihmonte ruajtjen dhe konservimin e ideve që vazhdimisht përputhen me synimin për te ardhmen demokratike te Kosovës.

Së treti, Kosova me një notë kaluese për organizimin e këtyre zgjedhjeve definitivisht do ta dëshmonte rolin e të “përkëdhelurit” nga daja Sam.

Kosova, duhet të ketë individë, parti politike, koalicione, gara, elektorat të emancipuar dhe së fundi edhe një kod moralo-juridik të cilët duhet sistemuar në një projekt të mirëfilltë përmes ekspertëve që tani duhet ta thonë fjalën e tyre profesionale. Tekefundit kështu veprojnë edhe amerikanët, gjermanët e edhe francezët et.

Kodet apo kriteret e kësisoj janë ilaçi më i mirë për trajnimin e demokracisë dhe shoqërisë civile të një vendi. Në demokracitë bashkëkohore, kjo është shumë e mundur dhe legale, por në rastin e Kosovës pra në rastin post zgjedhor 2009, sfida më e madhe për ta lëvizur 50% e abstenuesve nuk janë rirreshtimet kah opozita e as joshja me programe interesante, por para së gjithash bindja dhe unifikimi i interesave të shtresave të rrezikuara sociale që në Kosovë pikërisht përputhet me kontingjentin e abstenuesve.

E themi kështu, edhe për shkak se nga UNDP-ja, në "paralajmërimin e tyre të hershëm", kemi parametrat e "varfërisë sociale", dhe te atij te "papunësisë", që do të mund ta kërcënojnë në çdo kohë dhe në çdo vend tërë procesin e legjitimitetit zgjedhor në nivel nacional qe do te mbahet sipas te gjitha gjasave para datës së definuar me Kushtetutë!

Një parametër i panjohur akoma mbetet “mënyra e ngritjes” artificiale, do të thosha e disa partive politike që po konsiderojnë se i kanë krijuar të gjitha gjasat dhe konditat reale për ta marrë primatin e lidershipit politik në Kosovë(!), duke harruar kështu se zgjedhjet lokale mund të jenë barometër dhe një test sinjifigativ, por gjithsesi jo edhe determinues për madhësinë apo rritjen numerike te tyre.

Themi kështu, ngaqë si motivet ashtu edhe natyra e joshjes së bashku me synimet programore ndryshojnë dukshëm nga ato të nivelit lokal. Kështu që perceptimi për “ngritjen” apo “rënien” e ndonjë subjekti politik në zgjedhjet lokale 2009, për mendimin tim mund të jetë një adresë shumë e gabuar dhe një vetëkënaqësi e përkohshme që realisht do të ndryshojë padyshim në zgjedhjet nacionale që po trokasin në derë vitin që po hyjmë...

Gjerë atëherë të gjitha subjektet politike pa dallim ideologjie e programi duhet të bëjnë strategji të reja për të joshur pikërisht kontingjentin e abstenuesve me të gjitha mjetet e mundshme demokratike, sepse këtu qëndron i gjithë sekreti i “ngritjes” dhe “rënies” se çdo subjekti, e jo marrja apo huazimi nga subjektet tjera!