Nga 140 kilogramë në një formë të admirueshme, Xumi rrëfen rrugëtimin që i ndryshoi jetën
Ish-banori i “Big Brother VIP Albania 4”, Xum Allushi, ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale një histori personale që ka prekur shumë njerëz.
Krahas fotografive që tregojnë ndryshimin e madh fizik, ai ka folur edhe për sfidat që ka kaluar deri sa arriti rezultatet e sotme.
Në rrëfimin e tij, Xumi ka treguar se dikur peshonte 140 kilogramë dhe se ka përjetuar momente kur kishte humbur besimin te vetja dhe e kishte të vështirë të shihte një rrugëdalje.
“E di shumë mirë si është të humbasësh besimin tek vetja, të ndihesh i bllokuar dhe të mendosh se nuk do arrish kurrë aty ku do”, ka shkruar ai, duke kujtuar periudhën më të vështirë të jetës së tij.
Me shumë përkushtim, disiplinë dhe sakrifica, ish-banori i BBVA ka arritur të heqë rreth 60 kilogramë.
Sipas tij, gjatë këtij procesi kuptoi se ndryshimi nuk vjen vetëm nga stërvitja, por mbi të gjitha nga forca mendore dhe vendosmëria për të mos u dorëzuar, edhe në momentet më të vështira.
Sot, Xumi gëzon një formë të shkëlqyer fizike dhe ka zgjedhur të motivojë të tjerët me mesazhin e tij: “Nëse unë munda ta ndryshoj jetën time, mundesh edhe ti”. /Telegrafi/


