Please enter at least 3 characters.

Newcastle United dëshiron të nënshkruaj me yllin e Real Madridit para mbylljes së afatit kalimtar

Kanë mbetur më pak se 24 orë deri në mbylljen e afatit kalimtar dimëror dhe për Real Madridin, gjithçka ka qenë mjaft e qetë.

Gjatë këtij muaji, “Los Blancos” kanë finalizuar vetëm një marrëveshje: huazimin e Endrick Felipe te Olympique Lyon.

Megjithatë, ende ka kohë që të ndodhë ndonjë lëvizje.

Edhe pse nuk pritet asnjë përforcim i ri, ekziston mundësia që disa lojtarë të largohen nga “Santiago Bernabeu” para mbylljes së afatit, dhe njëri prej tyre mund të jetë Brahim Díaz.

Sulmuesi spanjoll, i cili ishte vendimtar në fitoren e së dielës ndaj Rayo Vallecanos, ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në javët e fundit, veçanërisht pas paraqitjeve shumë të mira në Kupën e Afrikës 2025.

Një nga klubet që ka shfaqur interes konkret është Newcastle United.

Sipas CaughtOffside, klubi anglez dëshiron ta rikthejë Brahimin në Ligën Premier përpara mbylljes së afatit kalimtar dimëror.

Raportohet se Newcastle ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e lojtarit, të cilët po shqyrtojnë një largim të mundshëm nga Real Madridi.

Përveç Newcastle, interesim kanë shfaqur edhe Aston Villa dhe Tottenham Hotspur, ndërsa çmimi i kartonit të tij vlerësohet rreth 60 milionë euro.

Largimi në verë është skenari më realist


Megjithatë, është pothuajse e pamundur që Real Madridi të lejojë largimin e Brahim Diaz brenda këtij afati, pasi ai pritet të ketë një rol të rëndësishëm në gjysmën e dytë të sezonit.

Një shitje në verë konsiderohet shumë më e mundshme, sidomos duke pasur parasysh rikthimin e pritshëm të Nico Paz nga Como.

Me rikthimin e Paz, Brahim rrezikon të zbresë në hierarkinë e ekipit, dhe duke qenë se vlera e tij është aktualisht e lartë, një shitje do të kishte kuptim ekonomik për klubin madrilen.

Newcastle pritet ta mbajë gjallë interesin edhe gjatë verës, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të ketë lëvizje konkrete në muajt në vijim. /Telegrafi/