Please enter at least 3 characters.

Netflix sinjalizon fundin e “Alice in Borderland”, serialit të ngjashëm me “Squid Game”

Foto: YouTube

Netflix ka lënë të kuptohet se sezoni i tretë i serialit japonez fantastiko-shkencor “Alice in Borderland” është sezoni i fundit, megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar për përfundimin e serialit.

Sipas The Independent, ky informacion u publikua disa muaj pasi sezoni i ri u bë i disponueshëm për shikuesit.

Seriali është një adaptim dhe ndjek historinë e një lojtari të fiksuar pas video-lojërave, i cili bashkë me miqtë e tij detyrohet të marrë pjesë në lojëra vdekjeprurëse për mbijetesë në një version të zbrazët dhe të çuditshëm të Tokios.

- YouTubewww.youtube.com

“Alice in Borderland” u shfaq për herë të parë në Netflix në dhjetor 2020 dhe arriti popullaritet të madh global.

Sipas raportit të Netflix-it, sezoni i tretë ka regjistruar rreth 25 milionë shikime dhe është përshkruar si sezoni përmbyllës.

Netflix nuk ka dhënë arsye zyrtare për përfundimin e mundshëm, ndërsa fansat në rrjetin social X pretendojnë se seriali ishte planifikuar që në fillim të mbyllej me sezonin e tretë, pasi historia arrin fundin e mangës origjinale.

Në serial luajnë aktorë të njohur japonezë si Kento Yamazaki, Tao Tsuchiya dhe Nijiro Murakami, dhe ai shpesh krahasohet me hitin koreano-jugor të Netflix-it, “Squid Game”.

Sipas Annabel Nugent nga The Independent, të dy serialet kanë ngjashmëri të forta për nga temat e garave të dhunshme, por “Alice in Borderland” është më shumë i orientuar drejt fantashkencës, ndonëse të dy trajtojnë tema si marrëdhëniet njerëzore, tradhtia dhe sakrifica.

“Alice in Borderland” u botua nga viti 2010 deri në 2016, përfshin 18 vëllime, u adaptua fillimisht si animacion dhe më pas u soll si serial nga Netflix. /Telegrafi/