Netanyahu "përfundon historinë" e Libanit - zbuloi se çfarë fshihet pas armëpushimit dhe cili është fati i Hezbollahut
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është deklaruar me rastin e hyrjes në fuqi të armëpushimit dhjetëditor midis Izraelit dhe Libanit, duke theksuar se Izraeli ka arritur suksese të mëdha ushtarake, por duke porositur qartë se “puna ende nuk ka përfunduar”.
Në fjalimin drejtuar publikut, Netanyahu u ndal te rezultatet e operacioneve ushtarake disa mujore në veri, duke theksuar se janë eliminuar dy kërcënime kryesore nga Libani – ai i afërt dhe ai i largët.
“Për herë të parë kemi krijuar një zonë të gjatë sigurie përgjatë gjithë kufirit verior. Ata donin të na rrethonin me një unazë zjarri, ndërsa ne krijuam një unazë sigurie. Kjo zonë eliminon plotësisht kërcënimin e afërt të një pushtimi nga mijëra terroristë në territorin tonë”, deklaroi ai.
Duke folur për “kërcënimin e largët”, 76-vjeçari theksoi pasojat shkatërruese të sulmeve izraelite ndaj infrastrukturës së Hezbollahut.
Ai pretendon se është shkatërruar gati 90 për qind e depove të raketave dhe predhave që për vite me radhë ishin ndërtuar nga ish-lideri i këtij grupi, Hassan Nasrallah.
Kryeministri izraelit kujtoi vrasjen e vetë Nasrallahut, operacionin me “pager” dhe eliminimin e mijëra militantëve.
“Hezbollahu sot është hija e asaj që ka qenë në krahasim me kohën e Nasrallahut”, tha lideri izraelit, por shtoi se qëllimi përfundimtar – çmontimi i plotë i kësaj organizate – kërkon durim dhe përpjekje të vazhdueshme. Për shkak të kërcënimeve të mbetura nga raketat dhe dronët, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) mbeten në pozicione për të mbrojtur kufirin verior.
Duke iu referuar përpjekjeve diplomatike, Netanyahu zbuloi se armëpushimi i përkohshëm është arritur me kërkesë të drejtpërdrejtë të presidentit amerikan, Donald Trump.
“Për herë të parë në 43 vite, përfaqësuesit e Shtetit të Izraelit po bisedojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e Shtetit të Libanit. Është krijuar një mundësi për avancimin e një zgjidhjeje politike dhe ushtarake. Rruga drejt paqes është ende e gjatë, por ne e kemi nisur. Njëra dorë mban armën, tjetra është shtrirë për paqe”, përfundoi ai.
Megjithatë, pak pas fillimit të armëpushimit, ushtria libaneze akuzoi Izraelin për një sërë shkeljesh të marrëveshjes dhe vazhdim të agresionit, çka tregon se ruajtja e paqes gjatë këtyre dhjetë ditëve do të jetë jashtëzakonisht sfiduese. /Telegrafi/


