Please enter at least 3 characters.

Nesër ndeshja Shqipëri-Andorra, policia plan masash - rrugët që do të kenë kufizim qarkullimi

Nesër, më 24 mars 2025, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Andorrës.

Policia e Shtetit ka publikuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas kësaj përballjeje ndërkombëtare.

Masat e sigurisë përfshijnë eskortimin dhe mbrojtjen e ekipeve të të dyja vendeve, si dhe kontrolle të hollësishme për të parandaluar futjen e sendeve të kundërligjshme në stadium.

Gjithashtu, është planifikuar mbikëqyrja e territorit të Tiranës me angazhimin e disa strukturave policore për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë.

Për lehtësimin e qarkullimit, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ketë kufizime në disa akse kryesore pranë stadiumit, duke përfshirë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Papa Gjon Pali II” dhe disa rrugë të tjera të rëndësishme në afërsi.

Policia apelon tifozët që të respektojnë rregullat e sigurisë, duke shmangur sjelljet e dhunshme apo tentativat për të futur sende të ndaluara në stadium, pasi shkeljet mund të sjellin ndëshkime ligjore, duke përfshirë gjoba dhe dënime me burg.

Hyrja në stadium do të nisë në orën 18:00, ndaj tifozët ftohen të paraqiten në kohë për të shmangur vonesat. Në rast nevoje për ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Shtetit në numrin emergjent 112.