“Nëse martirizoheni, ne do t'ju nderojmë!”: Kritika në drejtim të Erdoganit, për fjalët që i tha vajzës së vogël, të veshur me uniformë (Video)
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, është kritikuar pasi i ka thënë një vajze me uniformë ushtarake se ajo do të nderohet nëse vritet gjatë luftës.
"Nëse ajo martirizohet, ata do të vënë një flamur mbi të", i tha ai vajzës së vogël që po qante në një kongres televiziv të partisë së tij AK.
Dhe fjalimi i tij, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është përshkruar si "abuzim i fëmijëve" dhe një glorifikim i vdekjes.
Në një rast, transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, vajza e re e veshur si një ushtar duket të ketë kapur vëmendjen e presidentit Erdoganit, i cili pastaj e fton atë në skenë.
"Shikoni se çfarë po shihni këtu! Vajzë, çfarë po bën këtu? Kemi beretat tona, por beretat nuk qajnë", i tha ai, duke iu referuar veshjes së veshur nga Forcat Operacionale Speciale Turke.
"Ajo ka edhe një flamur turk në xhepin e saj ... Nëse ajo martirizohet, ata do të vënë një flamur mbi të,...", tha ai gjatë kongresit në qytetin jugor të Kahramanmaras të shtunën.
"Ajo është gati për gjithçka, apo jo?" Vajza u përgjigj: "Po".
Erdogan pastaj puthi fytyrën e saj dhe e lejoi të shkojë. Vajza nuk është identifikuar dhe nuk ishte e qartë përse ajo kishte veshur uniformë ushtarake.
Ndërkohë përdoruesit në rrjetet sociale kanë dënuar fjalimin e Erdogan, duke e krahasuar atë me "abuzimin e fëmijëve".
Një komentues ka shkruar: "Është një turp, është shumë keq. Ajo është vetëm një fëmijë,...”.
Gjithsesi ai ende nuk i është përgjigjur kritikës.
Nuk është hera e parë që komentet e Erdogan për martirizimin kanë shkaktuar kundërthënie në Turqi, ku çdo ushtar ose oficer i policisë i vrarë në detyrë konsiderohet një "martir", thotë Onur Erem i “BBC Turkish”.
Gjithashtu sipas këtij mediumi, kundërshtarët e Erdoganit e kritikojnë atë për përdorimin e funeralit të ushtarëve të vdekur dhe fëmijëve për fjalime shumë të politizuara.
Ata gjithashtu thonë se djemtë e tij kanë shmangur shërbimin ushtarak, por mbështetësit e tij nuk duket të ndikohen. /Telegrafi/


