Në Gjilan, 300 familje përfitojnë çanta dhe materiale shkollore
Komuna e Gjilanit, përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëfinancim me organizatën Islamic Relief, ka realizuar shpërndarjen e çantave dhe materialeve shkollore për 300 familje përfituese të asistencës sociale.
Mbështetja synon t’ua lehtësojë familjeve përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, duke u siguruar fëmijëve materialet e nevojshme për nisjen e procesit mësimor.
Nga Komuna e Gjilanit është vlerësuar se kjo nismë kontribuon në krijimin e kushteve më të mira për fëmijët nga familjet në nevojë dhe në mundësimin e një fillimi të ri shkollor me më shumë dinjitet dhe motivim.
Komuna ka shprehur mirënjohje për Islamic Relief për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj familjeve në nevojë. /Telegrafi/


