Please enter at least 3 characters.

Ndahet nga jeta në moshën 27-vjeçare modelja Lucy Markovic

Bota e modës është tronditur nga vdekja tragjike e Lucy Markovic, finaliste e ‘Australia’s Next Top Model’, e cila ndërroi jetë në moshën 27-vjeçare si pasojë e një malformimi arteriovenoz në tru (AVM).

Lajmi u konfirmua nga partneri i saj përmes një postimi prekës në Instagram: “Me dhimbje ju njoftoj se Lucy është ndarë nga jeta. Ishim pranë saj – unë, mamaja e saj dhe mamaja ime. Ju lutemi për pak privatësi në këtë moment të vështirë”.

Modelja kishte ndarë më herët me ndjekësit e saj se do t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje të rrezikshme kirurgjikale, pas vitesh përballjeje me simptoma të rënda si kriza epileptike dhe trajtime intensive.

Donatella Versace, e prekur nga humbja, publikoi një fotografi të Lucy në pasarelë, duke shkruar: “Jam shumë e trishtuar për humbjen e Lucy. Pusho në paqe, vajzë e bukur.” Edhe figura të tjera të modës si Cartia Mallan, Elisha Herbert dhe Alex Consani shprehën dhimbjen dhe admirimin për Lucyn, duke e përshkruar atë si të ndritshme, të dashur dhe me një bukuri të rrallë.

Lucy u bë e njohur në vitin 2015 kur u shpall finaliste në sezonin e 9-të të ‘Australia’s Next Top Model’, në moshën vetëm 17-vjeçare.

Pas spektaklit, ajo arriti të ecë në pasarelat e shtëpive të mëdha si Versace, Givenchy dhe Dion Lee.

Agjencia e saj, Elite Model Management NYC, deklaroi: “Lucy ishte një dritë e veçantë. Na ka lënë shumë herët, por kujtimi i saj do të jetojë gjithmonë me ne”.

Në intervista të mëparshme, Lucy kishte shprehur ëndrrën për të parakaluar në pasarelën e ‘Victoria’s Secret’, duke e cilësuar atë si kulmin e karrierës për çdo modele. /Telegrafi/