Please enter at least 3 characters.

Nagavci: Deklarata e Simiqit është e papranueshme, duhet të konstituohet Kuvendi dhe të zgjidhet presidenti

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci ka deklaruar se situata e krijuar në seancën e Kuvendit lidhet me dy çështje kryesore: kushtetutshmërinë e një deklarate të bërë nga deputeti Slavko Simiq dhe mospajtueshmërinë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Nagavci tha se seanca ishte thirrur për të premten në orën 11:00 për trajtimin e këtyre dy çështjeve.

Sipas saj, deklarata e Simiqit, i cili foli në emër të popullit serb, është e papranueshme dhe, sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“E para, ku Simiq bëri një deklaratë në emër të popullit serb, është e papranueshme dhe bie ndesh me Kushtetutën tonë”, ka deklaruar Nagavci.

Ajo tha se këtë qëndrim ia kishte përcjellë menjëherë kryetares së Kuvendit, gjatë konsultimeve në sallën e Kuvendit, duke kërkuar që deklarata të tërhiqej në mënyrë që procesi të vazhdonte.

“Unë këtë ia thashë menjëherë në momentin që kryetarja na ftoi në konsultime brenda në sallën e Kuvendit dhe kërkova që ta tërheqë fjalën, në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha ajo.

Nagavci shtoi se të njëjtën kërkesë e kishte përsëritur edhe në zyrën e kryetares së Kuvendit, duke theksuar se Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve të saj.

Ndërkohë, sa i përket çështjes së dytë, Nagavci foli për propozimet e dy partive politike për nënkryetarë të Kuvendit, konkretisht për Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

Sipas saj, të dy deputetët kërkojnë votat për pozitën e nënkryetarit, ndërsa nuk e kanë votuar kandidatin për president, situatë që, sipas Nagavcit, mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Çështja e dytë ka të bëjë me propozimin e dy partive politike, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, ku këta dy deputetë që kërkojnë votë për nënkryetar, të dy nuk e votojnë kandidatin për president dhe në këtë mënyrë po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja”, u shpreh ajo.

Nagavci theksoi se për LVV-në prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e presidentit në afatin sa më të shkurtër.

“Për LVV-në është shumë e rëndësishme që të kemi konstituimin e Kuvendit dhe votimin e presidentit në kohë sa më të shkurtër të mundur. Do të presim që të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe të zgjidhet presidenti”, përfundoi Nagavci. /Telegrafi/