Muza e Freudit: “Luciani më bëri të dukem si një bretkosë e madhe e shëndoshë"
Sue Tilley kaloi nga netët në klubet e Sohos dhe puna në qendrën e punësimit, në fytyrën e papritur të disa prej pikturave më të famshme.
Nga: Evgenia Siokos / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Të gjithë kemi nga një shok që na fut në telashe. Për Sue Tilleyin ai ishte Leigh Bowery: pjesërisht artist performance, pjesërisht stilist mode, krejtësisht i çmendur. Gjatë viteve ’80 të shekullit XX, Tilley i kalonte netët në klubet famëkeqe të Londrës së periudhës post-pank, duke parë Boweryn teksa spërkaste ujë nga të pasmet, drejt turmës, ose teksa “lindte” në mënyrë teatrale, në skenë, njërin prej miqve të tij i cili dilte nga një qese e lidhur në barkun e tij, mbuluar me lëng amniotik. Të nesërmen në mëngjes, pavarësisht nëse kishte fjetur apo jo, ajo gjendej në qendrën lokale të punësimit ku punoi për dekada me radhë si mbikëqyrëse e skemave sociale. “Ndonjëherë ndihesha vërtet keq në tavolinën time të punës,” pranon Tilley, tani 69 vjeçe, nga dhoma e saj e ndenjjes e mbushur me art në Shën Leonard, ku po kalon pensionimin larg dritave të Sohos.
I bujshmi Bowery tërhiqte vëmendje kudo që shkonte. Pasi në një performancë në galerinë Mayfair të udhëhequr nga Anthony d’Offay, në vitin 1988, ai tërhoqi vëmendjen e Lucian Freudit, Bowery u bë shpejt një nga modelët më transformues të artistit dhe një nga miqtë e tij më të afërt. Ishte vetëm çështje kohe para se ai të përpiqej ta fuste edhe Tilleyn në orbitën e Freudit si modele e mundshme. “Leighut i pëlqente t’ua rregullonte jetën njerëzve,” thotë Tilley. “Nuk i pëlqente që unë punoja në zyrën e punësimit dhe mendonte se do të ishte mirë të bëja diçka ndryshe.”
Para se ta prezantonte Tilleyn me Freudin, Bowery i dha udhëzime të rrepta se çfarë duhej të vishte për takimin dhe madje edhe si duhej të lyhej. “Leigh ma futi frikën në palcë,” thotë ajo, “por, sigurisht, nuk i kushtova vëmendje.” Tilley shkoi për drekë me Freudin në restorantin elegant River Café në perëndim të Londrës, dhe menjëherë u ndie nën një vëzhgim të fortë. “E ndjeja shikimin e tij duke më depërtuar gjatë gjithë kohës, duke më vëzhguar, duke parë nëse isha e përshtatshme,” kujton ajo. “Mendoj se ai besonte se, nëse i hapte sytë më shumë, mund të shihte më tepër.”
- Lexo po ashtu:Skicat e panjohura të Lucian Freudit
Freudi ishte një shoqërues interesant në tryezë, duke argëtuar të pranishmit me anekdota dhe, siç kujton Tilley, duke treguar një “shaka shumë të pistë për një balenë që masturbonte” (fatkeqësisht, pika kulmore e shakasë ka humbur në histori). Freudi më vonë i tha Boweryt se e urrente buzëkuqin që Tilley kishte vendosur në drekë, duke thënë se “nuk ishte ngjyra e duhur për ngjyrën e fytyrës së saj.” Edhe pse tani ajo e kupton këtë si koment tipik therës nga një artist i cili, sipas saj, “i pëlqente të takonte njerëz, që pastaj të mund të fliste keq për ta pas shpine”, Tilley pranon se “nuk e kam përdorur më kurrë atë buzëkuq.” (Sot, buzëkuqi i saj është një e kuqe e mrekullueshme.)
E pyeta nëse e kishte dëgjuar ndonjëherë Freudin të ishte veçanërisht mizor ndaj dikujt tjetër. “Ishte vërtet i pasjellshëm për Joan Collinsin, tmerrësisht,” thotë ajo. “Tha: ‘Mos u ul në atë karrige. Joan Collins ka qenë ulur aty. Do të marrësh Sidën.’ U trondita goxha që dikush mund të thoshte diçka të tillë.”
Sidoqoftë, Tilley duhet t’i ketë lënë përshtypje Freudit, sepse shpejt e gjeti veten të ftuar në studion e tij: ai donte që ajo të pozonte përkrah Boweryt për një pikturë, Një mbrëmje në studio [Evening in the Studio, 1993] - megjithëse Bowery do të zëvendësohej në kompozimin përfundimtar nga qeni i Freudit, Pluto. Edhe një herë, Tilley kujton se Bowery i dha udhëzime të hollësishme se si duhej të sillej ndërsa pozonte për artistin, madje duke e bërë të praktikonte heqjen e rrobave që të mos e kapte frika kur të vinte momenti të zhvishej në studio. Bowery u tmerrua kur, gjatë një seance, Tilley guxoi t’i kërkonte Freudit të mbyllte derën e ballkonit sepse ajo po ngrinte nga të ftohtit.
Sot, vepra e krijuar konsiderohet gjerësisht një kryevepër, por Tilley mbetet e pavendosur. “E urrej. Nuk kam turp ta them se është e shpifur,” thotë ajo. “Dukem si një bretkosë e madhe e shëndoshë e shtrirë në dysheme, një grumbull i madh dhjami. Por, pjesa tjetër më pëlqen.”
Tilley do të pozonte më pas për edhe tri portrete të tjera nga Freudi, dy prej të cilave thyen rekorde ankandesh kur dolën në shitje. Punëtorja sociale në gjumë [Benefits Supervisor Sleeping, 1995] u bë vepra më e shtrenjtë artistike e një artisti ende gjallë e shitur ndonjëherë në ankand - kur u shit nga shtëpia e ankandeve Christie’s në Nju-Jork në vitin 2008 për 33.6 milionë dollarë [vlera e 44.5 milionë eurove më 2026]. Thuhej se ishte blerë nga Roman Abramovichi dhe që atëherë nuk është shfaqur më publikisht. Më pas, Punëtorja sociale duke pushuar [Benefits Supervisor Resting, 1994] theu rekordin e vetë Freudit në ankand në vitin 2015, duke u shitur, sërish në Christie’s, për 56.2 milionë dollarë [vlera e 67.8 milionë eurove më 2026].
Portreti i katërt dhe i fundit i Tilleyt, i titulluar Duke fjetur pranë qilimit me luan [Sleeping by the Lion Carpet] dhe i pikturuar gjatë nëntë muajve mes viteve 1995 dhe 1996, u ble drejtpërdrejt nga tregtari i Freudit, Bill Acquavella, nga Joe Lewis, një miliarder i njohur në Britani si ish-pronar i klubit Tottenham Hotspur. Muajin e ardhshëm, piktura do të jetë vepra kryesore në ankandin e Sotheby’s për koleksionin vezullues të Lewisit - i cili përfshin gjithashtu vepra nga Modigliani, Matisse dhe Picasso - duke rikthyer trupin lakuriq të Tilleyt në vëmendjen publike. Ajo del në shitje me një çmim të vlerësuar prej 25-35 milionë paundësh [29-40.6 milionë euro].
E pyeta nëse pikturat e Freudit dhe mënyra si i priti bota kanë ndryshuar mënyrën si ajo e sheh veten: “Ato vetëm më vërtetojnë se jam një puding i vjetër i shëndoshë, por, e dini, kështu janë gjërat,” thotë ajo, pa u shqetësuar. “Dhe, të jem e sinqertë, ato piktura ndoshta nuk do të kishin pasur aq sukses po të mos kisha qenë një puding i vjetër e i shëndoshë.”
Portretet e Freudit, të pamëshirshme dhe ballafaquese, ishin sigurisht të pazakonta për kohën; në atë periudhë ai nuk pikturonte për tregun. Në fakt, ai u nda nga James Kirkmani, tregtari i tij londinez prej dy dekadash, ndërsa po krijonte portretet e Boweryt, pjesërisht sepse Kirkmani nuk po gjente publik për këto vepra të reja të mbushura me mish. Amerikani Acquavella pranoi të merrte përsipër përfaqësimin e artistit (dhe borxhin e tij të madh nga bixhozi) me shumë sukses - brenda pak vitesh ai e zgjeroi në mënyrë dramatike famën e Freudit në ShBA, jo pak falë portreteve të Boweryt dhe Tilleyt. “Ne ia ndryshuam jetën,” thotë ajo.
Kur nuk ishte në qendrën e punësimit, ditët e Tilleyt në studion e Freudit nisnin herët, rreth orës 7:30 të mëngjesit, dhe ndërpriteshin prej ekspeditave të rrezikshme për drekë drejt River Café-së, me Bentleyn e artë të artistit (ai ishte tmerr pas timonit). Herëve të tjera, ai përgatiste diçka për të ngrënë në studion e tij në Kensington. “Ishte kuzhinier i mrekullueshëm,” thotë Tilley. “Blinte përbërësit më të shtrenjtë dhe i gatuante shumë thjesht.”
Një pasdite, duke e lënë Tilleyn të priste në mes të seancës, Freudi u zhduk për dy orë për të parë garat në “dhomën e televizorit,” një dhomë e vogël ngjitur me studion, të quajtur kështu nga Francis Baconi. Kur më në fund u kthye, i dëshpëruar, ai i tha me qetësi Tilleyt se mund të shkonte në shtëpi. Me të drejtë e zemëruar, ajo iu kthye ashpër. Përgjigjja pajtuese e Freudit erdhi ditën tjetër: një çek prej 500 paundësh. “Duhej të isha zemëruar më shpesh,” thotë tani Tilley duke qeshur. “Mendoj se paguhesha më pak se modelet e vërteta të shkollave të artit,” shton ajo. “Por, pastaj më çonin për drekë prej 100 paundësh. Ndonjëherë përvojat janë më të rëndësishme se paratë.”
E pyeta nëse Freudi kishte tentuar ndonjëherë të flirtonte me të mes penelatave - piktori ishte famëkeq për mjegullimin e kufijve mes punës dhe jetës së tij dashurore - por, Tilley e hodhi poshtë idenë me të qeshur: “Nuk më pëlqente ai. As unë nuk i pëlqeja atij,” thotë ajo. “I pëlqenin njerëzit seriozë, të qetë dhe pa grim. Nuk i përshtatesha shumë atij përshkrimi. Por, mendoj se ndoshta të gjithë të tjerët hynë në atë lojë.”
Ajo kujton se Freudi një herë kishte lënë hapur një kopje të Daily Mail-it në studion e tij, ku ishte një fotografi e tij nën titullin: “A është ky dashnori më i madh në botë?” Ajo qesh sërish. “E dija shumë mirë që e kishte lënë aty që unë ta lexoja.” Të vetmet momente të tensionuara në studio ndodhnin kur gjërat nuk po funksiononin në telajo; në ato raste, thotë Tilley, Freudi merrte “furçën dhe e ngulte në këmbën e tij duke bërtitur: ‘Dreq! Dreq! Dreq!’ Por, ishte i zemëruar me veten, jo me mua.”
E pyeta si ndihet tani që është subjekt i disa prej veprave më të famshme dhe më të dallueshme në të gjithë artin - imazhe që varen në koleksione të klasit botëror, në muret e pallatit të të paktën një oligarku, dhe në postera në klasat e artit anembanë botës. “Kur isha e re, lexoja gjithmonë libra për jetën e artistëve,” thotë ajo. “E dini, impresionistët dhe para-rafaelitët: të gjitha gratë e përfshira; gjithë rrëmuja; të fshehtat dhe prapaskenat. As që e kisha ëndërruar ndonjëherë se do të bëhesha pjesë e gjithë asaj. Dhe, tani jam, apo jo?” /Telegrafi/

