Please enter at least 3 characters.

Mustafa: Vetëvendosje po blen kohë, Kurti duhet të marrë përgjegjësi

Ish-kryeministri Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje pas dështimit të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe duke apeluar për një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Mustafa vlerëson se ngërçi institucional dhe dështimi i zgjedhjes së kryeparlamentarit janë pasojë e pakënaqësisë së Vetëvendosjes me rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, kjo parti po përpiqet të fitojë kohë për të gjetur një formulë të re të qeverisjes ose për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

“LVV nuk është e kënaqur me rezultatet dhe po blen kohë për të gjetur një zgjidhje që i konvenon ose për të shkuar në zgjedhje të reja”, tha Mustafa.

Ai theksoi se propozimi i Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit nuk duhet të jetë pengesë për formimin e institucioneve, duke bërë thirrje që të gjendet një kandidat konsensual nëse aktuali nuk siguron mbështetje.

“Nuk i jap vetes të drejtë të them kush duhet të jetë kandidati, por bllokimi në një emër të vetëm është i gabuar. Kjo situatë duket se u konvenon të gjithëve, sepse askush nuk po guxon të marrë përgjegjësinë e qeverisjes”, shtoi ai.

Duke komentuar heshtjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Mustafa e cilësoi atë si të papranueshme.

“Kurti po del të jetë negacion i vetvetes. Ai duhet të informojë qytetarët për zgjidhjet që i ofron Kosovës dhe të marrë vendime, duke mbajtur përgjegjësi për to”, tha Mustafa.

Ai nuk e sheh rrezikun e zgjedhjeve të reja si diçka negative, por si një alternativë të mundshme, megjithatë theksoi se ekziston hapësirë për marrëveshje politike që do të mundësonte kapërcimin e krizës aktuale.

Në lidhje me rolin e partive opozitare, Mustafa vlerësoi se aktualisht asnjë parti nuk është as në pozitë dhe as në opozitë, duke shtuar se të gjitha kanë mundësi të barabarta për të ndikuar në krijimin e qeverisë.

“Nuk shoh përfitime nga kjo situatë. Nuk mund të përfitojë askush nëse dëmtohet vendi”, tha ai.

Sa i përket rolit të Presidentes Vjosa Osmani, Mustafa vlerësoi se ajo duhet të angazhohet më shumë në gjetjen e një zgjidhjeje politike.

“Presidentja duhet të punojë për të nxitur dialogun dhe të heqë dorë nga shetitjet, duke u përqendruar në zgjidhjen e krizës politike”, tha Mustafa në KlanKosova duke kujtuar se përvojat e kaluara tregojnë se situata të tilla nuk mund të zgjidhen vetëm përmes interpretimeve juridike, por kërkojnë vullnet politik.