Muaji i Mjaltit i ngrirë në Murin Shenghen
- Recension për filmin shqiptaro-serb “Honeymoon” të Goran Paskaljevic -
“Muaji i Mjaltit” për shqiptarët dhe serbët, për ballkanasit, për të gjithë qytetarët jashtë Murit Shenghen është një muaj i ngrirë!
Një muaj mjalti në pritje të ndodhë por që s’mund të ndodhë.
Një muaj mjalti i mbetur në tentativë.
Një muaj mjalti i mbetur pas kangjellave të karantinës së emigrantëve në Portin e Barit, apo pas Portës kafkiane të Ligjit të dhomave të izolimit të Hungarisë, apo në stolin e ftohtë të stacionit të trenit në kufi të Europës apo buzë detit pranë një dere trageti të hapur.
Muaji i mjaltit i shqiptarëve.
Muaji i mjaltit i serbëve.
Muaji i mjaltit i Ballkanit Perëndimor.
Muaji i mjaltit i marokenëve, filipinasve, meksikanëve, i të gjithë qytetarëve të botës në një botë ku lëvizin mallrat pa pushim me trena dhe tragete por njerëzit s’munden!
Ata ngrijnë pranë kufijve të Perëndimit dhe të ëndrrës së një jete më të mirë.
Muaji i mjaltit është një ëndërr që ngrin dhe mbetet aty pa kohë dhe pa lëvizje.
Thjesht mbetet aty.
Derisa jepen titrat të cilat lëvizin pa zhurmë sepse s’ndodh asgjë!
Gjithçka mbetet aty.
Kështu mbaron filmi Honeymoon, Muaji i Mjaltit, filmi i parë shqiptaro-serb i Mjeshtrit të Madh të Ballkanit, Regjisorit me famë botërore Goran Paskaljeviç, një film i shkruar bashkërisht nga ai dhe shqiptari Genc Përmeti dhe bashkëproducent Ilir Butka. Goranin shqiptarët e mbajnë mend në vitin 1989 me Filmin “Za vreme çuda” “Koha e Çudirave”, film politik që në atë kohë Përmeti dhe Butka të rinj e diskutonin haptas si një akuzë ndaj regjimit komunist në prag të Dhjetorit ’90.
Honeymoon është një film i mrekullueshëm, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, i cili premierën e parë e dha në Festivalin e Venecias duke marrë me vete vlerësimet maksimale të kritikës kinematografike por jo vlerësimin politik të Jurive shtetërore evropiane sepse është një film politik dhe akuzë e drejtpërdrejtë ndaj Murit Shenghen, këtij aparteidi modern të kamufluar pas burokracisë së gjoja standardeve dhe lojërave politike evropiane.
Është një film që nuk ka asgjë të jashtëzakonshme pikërisht për të treguar se sa e jashtëzakonshme është e zakonshmja jonë, e ne ballkanasve që urrehemi me njëri tjetrin pa e ditur se i përkasim të njëjtit fat megjithëse meritojmë një tjetër fat.
Filmi i Goranit të madh, shfaqet në një moment kritik! A do të shembet muri Shenghen për ne shqiptarët dhe ballkanasit? Nuk është puna e liberalizimit të vizave sepse personazhet e këtij filmi i kanë ato! Muri Shenghen nuk është thjesht një mur burokracish, por një MUR neuronesh në trurin e burokratit evropian dhe të vetë Qytetarit të Evropës! Është një mur ksenofobie dhe poshtërimi të policëve që marrin poza të personazheve të fortë hollivudianë dhe për tu ndier dikushi keqtrajtojnë fatkeq nga Lindja. Është një mur ksenofobie ku ironia e fatit prezantohet nga një burokrat “babaxhan” që i kërkon një fatkeqi që të lejë cigaren “sepse cigarja vret”! Ndërkohë kolegu i tij “e përdhunon me gishta” në një kontroll rutinë me doreza llastiku fatkeqin të cilin po e mbrojnë nga pirja e duhanit, duke mos i dhënë as edhe një cigare që të mposhtë stresin dhe dhimbjen e fatit të tij. Një ironi e fatit tonë ku të huajt na ngrenë shoqata për mbrojtjen e kafshëve dhe nga ana tjetër keqtrajtimi i njerëzve në kufij kap ekstreme si ai i “Sibilës” ushtarake ndaj Katerit të Radës të mbushur me fatkeq që fundosen në Otranto…
Por paralelisht me dhunën e mureve që ngrihen përballë nesh janë edhe muret që ne i ngremë njëri tjetrit, shqiptari serbit, vëllai vëllait, qytetari fshatarit, beogradasi mitrovicasit, shqiptari zezakut, të gjithë ndaj të gjithëve...
Është një film i vërtetë për histori të vërteta, për histori që nuk kanë histori sepse mbeten në mes.
Muaji i Mjaltit është një film për dashurinë, një dashuri e njëjtë kudo, ku disa martohen në zhurmë fishekzjarrësh dhe ahengu me 3 banda muzikore, dhe disa në qetësi të ëmbël… Këto janë dashuri universale sepse i përkasin njeriut ashtu siç është, i vërtetë, normal, i thjeshtë, i zakonshëm deri në monotoni ashtu siç është jeta e gjithkujt, por që absurdi kafkian shenghenian e pret në mes dhe e ngrin…
Deri kur?!


