Mospërputhje e statistikave të punësimit? Njohësi i politikave ekonomike analizon të dhënat nga ATK, Trusti e ASK
Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi, ka ngritur çështjen e punësimit në Kosovë, gjersa ka folur rreth mospërputhjes së shifrave.
Shenolli në një postim në Facebook ka bërë një krahasim të punësimit në tremujorin e parë të vitit 2024 me atë të 2025, nga disa burime.
Lexoni të plotë postimin:
Tregu i Punës (Punësimi)
Aktualisht, nga mesataret e ATK dhe llogarive aktive tek Trusti, kemi mesatarisht 357,422 persona të raportuar si të punësuar aktiv në tremujorin e parë 2025. Trusti ka raportuar 337,283 llogari aktive, ndersa ATK 377,562 pagesa. ASK nuk ka raportuar ende.
Këtu në grafikon i kemi të dhënat gjithëpërfshirëse rreth punësimit në Kosovë. Janë nga ASK, Trusti (llogaritë aktive) dhe nga ATK (primaret). Periudha është tremujori i parë nga vitet 2021 deri 2025.
Nga të dhënat e ATK dhe Trusti, po kuptojmë që numri i personave të punësuar është më i vogël sesa i raportimeve të ASK. Kjo ndoshta për shkak të metodologjive.
Gjithashtu Trusti periudhat tjera të vitit raporton më shumë llogari aktive, por kjo supozohet për shkak të punësimeve të paqëndrueshme afatshkurtër që nuk vazhdojnë pastaj. Për atë arsye, shembulli është bërë nga tremujori i parë i viti i cili supozohet të jetë më reali dhe organik. /Telegrafi/


