Mirë se vini në komunën e territ!
- Me shkas nga Shterpca -
Të nderuar qytetarë serbë e shqiptarë, pushtetarë - ndërkombëtar e vendorë, "demokratë" e komunistë, turistë e pacifistë..., mirë se vini në komunën e territ! Jua uroj këtë mirëseardhje që të na vizitoni dhe të bindeni edhe vetë se në Kosovën tonë të pavarur ka ende vende ku jetohet si në mesjetë, si në kohën e principatave dhe pashallëqeve: pa rrymë, pa informim, pa ligj, por me disa privilegje për dikë-dikë. Pra, ju uroj mirëseardhje në një komunë ku gjithçka është terr, terr dhe vetëm terrrrr.
1. Terri i parë - terri energjetik
Në "Principatën" e Shtërpcës ka tri javë që nuk ka rrymë elektrike. E ka ndalur KEK-u, sepse thotë që qytetarët nuk po paguajnë. Kjo s'është e vërtetë aspak, serbëve u është ngrirë borxhi, e dimë të gjithë. Disa qytetarë megjithatë paguajnë, por se e ka ndalur KEK-u kjo është e vërtetë, jo pse qytetarët s'po paguajnë, por sepse KEK-u nuk po guxon të hyjë në Shtërpcë nga strukturat paralele.
2. Terri i dytë - terri informativ
10 vjet pas luftë në Grykën e Syrinikës nuk ka qasje asnjë medium elektronik e i shkruar në gjuhën shqipe. Sa për informatë, qytetarët e këtushëm paguajnë nga 3.5 euro çdo muaj për RTK-në, nëpërmjet faturave të KEK-ut.
3. Terri i tretë - terri institucional
Tashmë po u kalon mandati zgjedhjeve lokale, e në Shtërpcë nuk ka pushtet, ka vetëm anarki. Aty kurrë nuk mblidhet Kuvendi i Komunës edhe pse të ashtuquajturit këshilltarë paguhen. Në Shtërpcë vendos kushdo dhe ashtu siç do vetë, mjafton të kesh dikë të njohur në hierarkinë e emëruar të komunës.
4. Terri i katërt - Terri politik
Siç e dinë të gjithë, në Shtërpcë ka edhe terr politik. Aty ka një politikë shumë të vogël e të dështuar që udhëhiqet, me në krye pashain e komunës, Stanko Jakovljeviqin dhe nënpashain Ali Halimi, të dy të emëruar, por ka edhe një politikë shumë të madhe paralele që udhëhiqet nga Beogradi me në krye "Principatën" e Zvonko Mihajloviqit.
5. Terri i pestë - Terri Ekologjik
Në këtë komunë, kushdo që ka një ekskavator mund të gërryejë kodra dhe kushdo që ka një motosharrë mund të merr tenderë të pyjeve. Gati i rrafshuan të gjitha kodrat dhe gati e faruan malin "Sharr" e askush nuk përgjigjet.
6. Terri i gjashtë - Terri i transportit publik
Në Shtërpcë as transport publik nuk ka. Nuk ec asnjë autobus, përpos atyre të KFOR-it. Udhëtarët e Shtërpcës janë nën mëshirën e kombibusëve, shpeshherë mbesin rrugëve.
Këto janë disa terret më kapitale në këtë komunë. Ka edhe tjera, por për ato do ju flas një herë tjetër. Për këto terre kam vendosur të shpall një tender, mbase do t'i blejë dikush.
Oferta është me sa vijon dhe mbetet e hapur deri në shitjen e tërësishme:
1. Terr energjetik - autoriteti kontarktues: KEK-u, çmimi: Qirinj slloven, gazishte mesjete
2. Terr informativ - autoriteti kontraktues: RTK (me simotrat elektronike e të shkruara), çmimi: një tellall me daulle
3. Terr institucional - autoriteti kontraktues: strukturat legjitime në Shtërpcë, çmimi: një Kanun të Lekë Dukagjinit
4. Terr politik - autoriteti kontraktues: Strukturat paralele serbe, çmimi: jepni sa të doni
5. Terr ekologjik - autoriteti kontraktues: Agjencia Pyjore e Kosovës së Bashku me Mnistrinë e Ambientit, çmimi: vilë në Brezovicë, bërllok në "Lepenc" dhe dru ahu në "Sharr"
6. Terr transportues - autoriteti kontraktues: kombibusët e Brodit dhe Firajës, çmimi: 15 pasagjerë në 10 ulëse.
(Autori është koordinator i OJQ-së "SHARRI" në Shtërpcë)


