Ministri i Malit të Zi kritikon ashpër vendimin e një komune për çnjohjen e Kosovës
Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj ka kritikuar ashpër deklaratën e miratuar nga Kuvendi Komunal i Zeta për “shfuqizimin” simbolik të njohjes së Kosovo, duke e cilësuar këtë veprim si të dëmshëm për perspektivën evropiane të shtetit malazez.
Përmes një reagimi të publikuar në platformën X, Dukaj theksoi se iniciativa e autoriteteve lokale në Zetë nuk ka fuqi juridike apo kushtetuese, pasi çështjet e politikës së jashtme janë kompetencë ekskluzive e shtetit.
Ai vlerësoi se deklarata përfaqëson një tentativë të pushtetit lokal për të ndërhyrë në kompetenca që nuk i takojnë, duke cenuar njëkohësisht marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të cilat i konsideroi ndër prioritetet strategjike të Malit të Zi.
“Shteti duhet të fokusohet në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve, jo në iniciativa politike që krijojnë përçarje dhe dëmtojnë orientimin evropian të vendit”, u shpreh Dukaj.
Sipas tij, lëvizje të tilla përbëjnë “hap prapa” në procesin e ndërtimit të së ardhmes evropiane të Malit të Zi dhe mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin institucional të vendit.
Reagimi i Dukajt erdhi pasi Kuvendi Komunal i Zetës miratoi një deklaratë simbolike që kërkon anulimin e njohjes së Kosovës nga Mali i Zi, ndonëse vendimet për politikën e jashtme mbeten nën juridiksionin e qeverisë qendrore në Podgorica.
Ndryshe, Mali i Zi e ka njohur zyrtarisht Kosovën më 9 tetor 2008. Vendimi u mor nga qeveria malazeze, disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. /Telegrafi/


