Please enter at least 3 characters.

Miliona njerëz protestojnë kundër Trumpit në të gjithë Amerikën dhe përtej saj

Turma të mëdha njerëzish kanë marrë pjesë në protestat "No Kings" kundër politikave të presidentit Donald Trump anembanë SHBA-së.

Mijëra njerëz mbushën sheshin ikonik Times Square të New Yorkut dhe rrugët përreth, me njerëz që mbanin pankarta me slogane si "Demokraci jo Monarki" dhe "Kushtetuta nuk është opsionale".

Përpara protestave, aleatët e Trumpit akuzuan protestuesit se ishin të lidhur me lëvizjen e ekstremit të majtë Antifa dhe dënuan atë që ata e quajtën "tubimi kundër urrejtjes së Amerikës".

Disa shtete amerikane kishin mobilizuar Gardën Kombëtare.

Por organizatorët thanë se ngjarjet, të cilat tërhoqën gati shtatë milionë njerëz, ishin paqësore.

Në New York, pjesë të turmës shpërthenin rregullisht në thirrjet “Kështu duket demokracia”, ndërsa një tingull pothuajse i vazhdueshëm daulleje buçiste në sfond.

Helikopterë dhe dronë mund të shiheshin duke fluturuar sipër kokës së protestuesve, dhe policia qëndronte në rrugë.

Bëhet e ditur se politikanë demokratë iu bashkuan protestave në të gjithë vendin.

"Ne nuk kemi diktatorë në Amerikë. Dhe nuk do ta lejojmë Trumpin të vazhdojë të gërryejë demokracinë tonë", tha udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer.

Në Uashington, senatori i Vermontit, Bernie Sanders, mbajti një fjalim kryesor.

"Ne nuk jemi këtu sepse e urrejmë Amerikën, ne jemi këtu sepse e duam Amerikën", tha ai para një turme prej mijëra njerëzish.

Ndryshe, protestat nuk u kufizuan vetëm në SHBA.

Në të gjithë Evropën, pati gjithashtu demonstrata në Berlin, Madrid dhe Romë, ndërsa njerëzit treguan solidaritet me amerikanët.

Në Londër, disa qindra protestues u mblodhën jashtë ambasadës amerikane.

Skena të ngjashme pati edhe në Toronto, ku demonstruesit pranë konsullatës amerikane tundnin pankarta ku shkruhej "Duart larg Kanadasë". /Telegrafi/