Please enter at least 3 characters.

Microsoft shkurton 3200 vende pune në Xbox, goditje e madhe për industrinë e video-lojërave

Kompania amerikane, Microsoft ka njoftuar se do të shkurtojë rreth 3200 vende pune në divizionin e saj të video-lojërave Xbox, duke lënë pa punë rreth 20 për qind të punonjësve të këtij departamenti.

Drejtoresha ekzekutive e divizionit Xbox, Asha Sharma, u ka deklaruar punonjësve se gjendja aktuale e biznesit "nuk është e shëndetshme" dhe se kompania po operon me marzhe fitimi shumë më të ulëta krahasuar me kompani të ngjashme në industri.

"Duhet ta rivendosim Xbox-in", ka thënë Sharma, duke shpjeguar se riorganizimi synon thjeshtimin e strukturës së kompanisë dhe përqendrimin e investimeve në projekte më të mëdha.

Sipas planit, 1600 vende pune do të eliminohen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër do të shkurtohet gjatë 12 muajve të ardhshëm. Përveç kësaj, Microsoft do të heqë edhe rreth 3200 vende të tjera pune jashtë divizionit Xbox, kryesisht në sektorët e shitjeve, duke e çuar numrin total të largimeve në rreth 6400 punonjës.

Sharma ka pranuar se blerjet e mëdha të viteve të fundit, përfshirë blerjen e kompanisë Activision Blizzard për rreth 69 miliardë dollarë në vitin 2023, krijuan vlerë të konsiderueshme për Microsoft-in, por nuk sollën rritjen e pritshme.

Në të ardhmen, Xbox pritet të fokusohet më shumë te ekskluzivitetet më të mëdha, si Minecraft, ndërsa studiot nën pronësinë e Microsoft-it do të vazhdojnë punën në seri të njohura si Fallout, The Elder Scrolls, Doom, Quake dhe Wolfenstein.

Gjithashtu, disa studio të zhvillimit të lojërave pritet të shiten ose të ndahen nga struktura e Xbox-it, si pjesë e riorganizimit të madh të kompanisë. Microsoft ka theksuar se këto ndryshime nuk janë një tërheqje nga industria e lojërave, por një përpjekje për ta orientuar Xbox-in drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme. /Telegrafi/