Michael Carrick pritet të emërohet trajner i ri i Man Utd
Manchester United ka vepruar me shpejtësi për të gjetur pasuesin e Ruben Amorim, duke përshpejtuar ndjeshëm procesin për emërimin e trajnerit të ri.
Madje, sipas raportimeve të fundit, tashmë është arritur një marrëveshje për ardhjen e tij.
Situata në “Old Trafford” ka hyrë në një fazë trazirash totale.
Vetëm pak ditë më parë, klubi vendosi të ndahej nga trajneri portugez Ruben Amorim, i cili nuk arriti të përmbushte pritshmëritë në Ligën Premier.
Pas 14 muajsh me rezultate të paqëndrueshme dhe pa mundur të rivalizojë ekipet e mëdha të kampionatit anglez, aventura e tij në stolin e “Djajve të Kuq” mori fund.
Pas largimit të Amorim, disa emra janë përmendur si zgjidhje të përkohshme për stolin e United.
Megjithatë, sipas asaj që është raportuar ditët e fundit, Michael Carrick ka kaluar përpara Ole Gunnar Solskjaer në garën për të marrë drejtimin e ekipit.
Sipas prestigjiozes The Athletic, është arritur tashmë një marrëveshje parimore me ish-mesfushorin 44-vjeçar, i cili pritet të rikthehet në “Old Trafford” këtë herë si trajner i ekipit të parë.
Në mungesë të ndonjë surprize të papritur, Carrick pritet të drejtojë ndeshjen e tij të parë që këtë të shtunë, përballë Manchester Cityt.
Një debutim jashtëzakonisht i vështirë dhe një provë e madhe zjarri për trajnerin e ri të Manchester United. /Telegrafi/


