Please enter at least 3 characters.

Mehmeti kundërshton taksën prej 10 eurosh për automjetet jashtë Prishtinës, e quan shkelje të barazisë

Asamblisti i Partisë Guxo në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeton Mehmeti, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj propozimit për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për automjetet e regjistruara jashtë kryeqytetit, duke e cilësuar atë si të papajtueshme me parimin e barazisë para ligjit.

Gjatë fjalës së tij, Mehmeti theksoi se një masë e tillë cenon trajtimin e barabartë të qytetarëve, pavarësisht vendbanimit të tyre.

“Taksa e Kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Kryeqytetit, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë”, deklaroi Mehmeti.

Ai nënvizoi se qytetarët që jetojnë jashtë Prishtinës nuk mund të trajtohen ndryshe, pasi gëzojnë të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër i vendit.

“Edhe qytetarët që jetojnë jashtë Kryeqytetit janë qytetarë të Republikës së Kosovës, janë qytetarë që e kanë një Kryeqytet dhe janë të barabartë para ligjit”, u shpreh ai.

Në vijim, Mehmeti i referohet edhe një dispozite konkrete të rregullores së propozuar, të cilën e konsideron problematike.

“Neni 14, paragrafi 2, që thotë: ‘Çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të Kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga Kryeqyteti, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje’, është ndër dispozitat më problematike”, theksoi Mehmeti.

Sipas tij, kjo dispozitë krijon dallime të pajustifikuara ndërmjet qytetarëve dhe ngre shqetësime serioze për përputhshmërinë e saj me parimet themelore juridike. /Telegrafi/